Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me situatën në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës rrugore, duke thënë se qytetarët po vazhdojnë të përballen me probleme të përditshme.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Gjini ka ngritur shqetësimin për ndërprerjet e energjisë elektrike, duke theksuar se shumë familje kanë mbetur pa furnizim me rrymë gjatë ditës.
Ai ka përmendur gjithashtu gjendjen e rrugës Gjakovë–Dollc, për të cilën ka thënë se ka mbetur pa investime dhe pa përmirësime të nevojshme për një periudhë të gjatë kohore.
Sipas Gjinit, këto probleme pasqyrojnë sfidat me të cilat përballen qytetarët në shumë pjesë të vendit, duke kërkuar më shumë angazhim institucional për zgjidhjen e tyre.
“Mijëra familje pa rrymë në mes të ditës. E pak minuta më parë kalova rrugën Gjakovë-Dollc, që siç e dini është lënë tash e sa vite në mëshirë të fatit. Ky është realiteti në Kosovë”, ka shkruar ai.




