Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se është arrestuar një zyrtar i Komunës së Kllokotit me inicialet S.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 39 mijë e 231 euro.
Në njoftim thuhet se i arrestuari ka qenë i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, si dhe menaxher i bibliotekës së qytetit.
“Sipas dyshimit të bazuar, i pandehuri S.S, nga viti 2019 e deri me datë 02.03.2026 i punësuar në Komunën e Kllokotit, në cilësinë e zyrtarit për kulturë, rini, sport dhe si menaxher i bibliotekës së Kllokotit, me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur të njëjtat, dhe ka përfituar pagën mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, përkundër se i njëjti nuk është paraqitur në punë dhe nuk ka ushtruar asnjë aktivitet të punës, konform detyrave që ia parasheh kontrata, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerën prej 39.231.21 euro”, thuhet në njoftim./teve1.info/







