Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka folur për të ardhmen e tij me klubin dhe me kuqezinjtë në një intervistë për gazetën zvicerane Blick.ch, ku ka rrëfyer emocionet pas një tjetër sezoni të gjatë me Atalantan dhe zhgënjimin për moskualifikimin e Shqipërisë në Botëror.
Mbrojtësi shqiptar sapo ka përfunduar sezonin e tij të dhjetë në Itali, ndërsa tashmë numëron 334 ndeshje zyrtare me Atalantën, duke u renditur mes futbollistëve me më shumë paraqitje në historinë e klubit bergamask. Për këtë arritje, ai është nderuar së fundmi edhe nga klubi italian.
“Kur erdha në Bergamo në vitin 2016, nuk e kisha menduar kurrë se do të luaja kaq shumë ndeshje për këtë klub”, deklaroi Gjimshiti, duke shtuar se lidhja me qytetin dhe tifozët është bërë shumë e veçantë.
Edhe pse kontrata e tij skadon në fund të qershorit, mediat zvicerane raportojnë se rinovimi me Atalantën është shumë pranë zyrtarizimit.
“Ndjehem mirë fizikisht dhe dua të vazhdoj të luaj në nivelin më të lartë”, tha ai.
Megjithatë, fokusi më i madh i Gjimshitit mbetet Kombëtarja shqiptare. 33-vjeçari nuk e fsheh zhgënjimin për dështimin e Shqipërisë në garën për Kupën e Botës, një objektiv që ai e konsideronte ndoshta si shansin e fundit të madh në karrierën e tij ndërkombëtare.
“Kualifikimi në Botëror ishte një mundësi unike, ndoshta edhe e fundit për mua. Na dhembi shumë, sidomos mënyra si shkoi play-off-i ndaj Polonisë”, u shpreh kapiteni shqiptar.
Pavarësisht kësaj, Gjimshiti mbetet optimist për të ardhmen e kuqezinjve. Objektivi i tij tashmë është një tjetër Kampionat Evropian me Shqipërinë.
“Qëllimi im i madh është të kualifikohem edhe një herë në Evropian me Shqipërinë. Shpresoj të qëndroj sa më gjatë në formë dhe të vazhdoj të luaj në nivelin më të lartë”, theksoi ai.
Pas një dekade në futbollin italian dhe me eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare, Gjimshiti vazhdon të mbetet një nga figurat kyçe të kombëtares shqiptare, si lider në mbrojtje dhe si kapiten i skuadrës kuqezi.










