Të enjten, thirrën konferencë për media.
E para gazetarëve, dolën kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kryetema e kësaj konferenca, ishte krijimi i xhandarmerisë së Kosovës.
Themelimin e saj, i pari i ekzekutivit, e cilësoi si të domosdoshëm.
“Me qëllim të adresimit të sfidave e vështirësive të mëdha e rreziqeve jo të vogla nga Serbia e përballja me to – themelimi i xhandarmerisë si strukturë e re e specializuar moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës , e cila do të plotësojë boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe ushtrisë, përkatësisht FSK-së, tha Kurti.
Tutje Kurti njoftoi se trupat e kësaj xhandarmerie, nuk do të jenë vetëm tokësore.
“Xhandarmeria do të ketë një mandat të qartë, sigurimi i vijës tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, si me mallra dhe migrantë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike. Themelimi dhe funksionalizim i xhandarmerisë do të bëhet me miratimin e ligjit të veçantë nga Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11-të”, tregoi ai.
Më shumë detaje dha ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
“Kam themeluar grupin punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për themelimin e xhandarmërisë, me qëllim të forcimit të kontrollit të vijës kufitare, mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit si dhe reagimin e shpejt ndaj kërcënimeve të përmasave të nivelit të lartë. Tashmë grupi punues është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të Minstrisë së Punëve të Brendshme përmes ligjit të veçantë”, u shpreh ai.
Ndërsa për numrin e pjesëtarëve që do t’i ketë xhandarmeria e Kosovës, Sveçla tha se ende nuk është përcaktuar.
Ndërsa shtoi se pjesë e grupit punues janë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë.






