Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion bipartizan të Kongresit amerikan, të përbërë nga Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe Suhas Subramanyam, anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme.
Gjatë takimit, Kurti ka theksuar çështjet e mbrojtjes, paqes dhe sigurisë në rajon, duke falënderuar delegacionin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe aspiratës së saj për anëtarësim në NATO.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, ai ka veçuar rezolutat e Dhomës së Përfaqësuesve që mbështesin integrimin euroatlantik të Kosovës dhe bëjnë thirrje për vazhdimin e pranisë së forcave amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.
Kurti ka diskutuar gjithashtu për përputhshmërinë e politikës së jashtme, investimet në sektorin e mbrojtjes, zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, si dhe reformat në fushën e arsimit.
Delegacioni amerikan para vizitës në Prishtinë kishte qëndruar në Luginën e Preshevës.
Në këtë kontekst, Kurti theksoi nevojën për respektimin e të drejtave të barabarta për pakicat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor./teve1.info/










