Konjufca ka thënë ShBA është pishtari i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut dhe shtylla kryesore për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën.
Ai theksoi se ShBA-ja ishte edhe fanari i lirisë për Kosovën dhe mbetet aleti më i madh i popullit të Kosovës.
“Ishte edhe fanari i lirisë për Kosovën dhe mbetet aleati më i madh i popullit tonë. Miqësia e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë i cili ka udhëhequr lidhjet tona të forta tash e sa vite, në mbrojtje, siguri, përparim ekonomik dhe marrëdhënie tjera strategjike dhe ndërnjerëzore”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij, bashkëpunimi dhe partneriteti mes Kosovës dhe ShBA-ve po rritet dhe forcohet çdo ditë e më shumë, shkruan teve1.info
“Populli i Kosovës qëndron i përkushtuar, siç ka qëndruar gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara. Do të punojmë së bashku për të adresuar sfidat e ndryshme si në rajon ashtu edhe në rrafshin global. Edhe pse gjeografikisht të largët, ne ndajmë një botëkuptim dhe interesa të përbashkëta për të avancuar idealet e paqes dhe prosperitetit. Pavarësia është një vlerë për të cilën populli shqiptar ka luftuar shumë dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se sa e çmuar është ajo”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
“Shpreh urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për popullin amerikan në 246 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!” , shtoi ai.