Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arbër Havolli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e 6 shtatorit 2025 në Llapashticë të Epërme në Podujevë. Ai e pranoi fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
“Më së pari mua më vjen keq për rastin që ka ndodh. S’kam dashtë me ndodh kjo, i kërkoj familjes falje. Për akuzën e parë (veprën penale Vrasje) s’e pranoj fajësinë. Për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, tha Havolli.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Havolli e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Gjonbalaj deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit për pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, meqenëse pranimi është bërë konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe në përputhshmëri me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës,
Po ashtua, prokurorja i propozoi Gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor për këtë vepër penale dhe ta dënojë sipas ligjit.
Deklarimin e Havollit rreth fajësisë për armëmbajtje pa leje e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, avokati Bekim Sfishta.
Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi miratoi pranimin e fajësisë sa i përket veprës penale në pikën II të aktakuzës, me arsyetimin se përputhet me provat që gjenden në shkresat e lëndës, kurse shpallja për këtë vepër penale do të bëhet në fund të gjykimit.
Sa i përket veprës penale “Vrasje”, për të cilën i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Ajvazi njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, më 9 shtator 2025, përmes publikimit të fotografisë, Policia e kishte shpallur në kërkim Havollin si të dyshuar për vrasjen e ndodhur më 6 shtator 2025 pasi ndodhej në arrati. Ai u arrestua më 23 tetor 2025.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 23 prill 2026, Arbër Havolli akuzohet se më 6 shtator 2025 rreth orës 19:30 në rrugën “Hysen Havolli” në fshatin Llapashticë e Epërme, Komuna e Podujevës, me dashje që të privojë nga jeta tani të ndjerin B.S., derisa viktima ishte në veturën e tij skaj të rrugës, saktësisht përballë marketit “Havolli”, i pandehuri fillimisht afrohet dhe bisedon, më pas shtie 9 herë me armë në drejtim të tani ndjerit, me ç’rast të njëjtin e privon nga jeta.
Me këtë, i pandehuri Havolli akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se me datë dhe kohë sikur në pikën 1 të dispozitivit të kësaj aktakuze, e deri më 23 tetor 2025, i pandehuri në kundërshtim me Ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të pautorizuar armë të zjarrit prodhim turk, një karikator me 13 fishekë, të cilat gjatë kontrollit të Policisë janë gjetur dhe janë konfiskuar.
Me këtë, i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par. 1 të Kodit Penal.








