Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas një njoftimi të publikuar nga Gjykata Speciale mbi aktivitetet që u lejohen ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë e të dënuar për krime lufte në shkallën e parë.
Çitaku duke theksuar se janë bërë shkelje gjatë procesit të gjykimit ka pyetur Specialen,se “si u gatua kjo padrejtësi”.
Çitaku ka thënë se rreth 2.356 dokumente nga Serbia u pranuan si prova në Gjykatën Speciale në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“2.356 dokumente nga Serbia në dosje, ajër i pastër dhe tri shujta në ditë në komunikatë. E morëm vesh, Speciale, sa herë në ditë shtrohet sofra në Hagë. Tani na tregoni si u gatua kjo padrejtësi. Po, e lexuam menynë. Tani të flasim për dosjen dhe drejtësinë. Si u verifikuan ato 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia, shteti që ende e quan UÇK-në organizatë terroriste? Çfarë mundësie pati mbrojtja për t’i kundërshtuar? Zyrtarët ndërkombëtarë që kishin qenë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë u dëgjuan në sallë. Kur erdhi puna te aktgjykimi, dëshmitë e tyre u zhvlerësuan. Pse? Si?”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se Kosova nuk do të ndalet së kërkuar drejtësi.
Çitaku ka thënë se ligjin për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së do ta qojnë përpara dhe do ta zbatojnë strategjinë shtetërore për apelin.
“Prandaj, si shtet e si shoqëri, nuk do të zmbrapsemi. Do ta çojmë përpara ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë, do ta zbatojmë strategjinë shtetërore për apelin dhe do të lobojmë e ta ngremë zërin anembanë botës. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel”, ka shkruar ajo./teve1.info/








