Gjykata Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve me inicialet A.L. dhe R.J., të dyshuar për veprën penale “mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Alba Makolli, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, më 17 prill 2026, në Ferizaj, në bashkëveprim edhe me të dyshuarin V.N., i cili ndodhet në arrati, kanë mashtruar disa persona duke u prezantuar rrejshëm si posedues të kriptovalutës USDT.
“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdorur emra të rremë, i kanë vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F. dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital ‘wallet’”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas dosjes së rastit, të dyshuarit fillimisht kishin marrë me qira një lokal në Ferizaj ku kishin organizuar takimin me të dëmtuarit. Aty, ata dyshohet se kanë marrë shumën prej 12 mijë eurosh, të cilat i kishin vendosur në një çantë të gjelbër brenda një dollapi.
“Paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme e dollapit, përmes së cilës i marrin të hollat pa dijeninë e të dëmtuarve dhe më pas largohen në drejtim të panjohur”, thuhet më tej në njoftim.
Gjykata ka bërë të ditur se pas veprimeve operative të policisë është zbuluar se të dyshuarit po planifikonin ta përsërisnin të njëjtën skemë mashtrimi edhe në Kaçanik, duke marrë sërish një lokal me qira dhe duke caktuar takim me persona të tjerë.
“Pas reagimit të hetuesve policorë, të njëjtit janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri V.N. ka arritur të arratiset”, thuhet në komunikatë.
Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se kërkesa e Prokurorisë për paraburgim është aprovuar si e bazuar dhe ndaj dy të pandehurve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
“Palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij”, përfundon njoftimi i gjykatës.








