Fadil Demaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se subjekti i tij synon të dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ai ka refuzuar të komentojë nëse rikthimi i mundshëm në garë i Vjosa Osmanit do të ndikonte në renditjen e partive, përkatësisht nëse kjo do t’ia rrezikonte PDK-së vendin e dytë.
“PDK do t’ia ofrojë qytetarëve të Kosovës ofertën e saj më të mirë dhe ne do të mundohemi të marrim sa më shumë vota për të dalë në vendin e parë. Nuk dua të flas për hipoteza se kush do të jetë i dyti apo i treti,” ka deklaruar Demaku.
Ai ka theksuar se objektivi kryesor i PDK-së mbetet largimi nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, duke e kritikuar qeverisjen e saj ndër vite.
“Synimi i PDK-së është që Lëvizja Vetëvendosje të largohet nga pushteti, sepse u pa qartë për 6 vite që këta nuk dinë të qeverisin, por dinë të krijojnë kriza dhe situata jo normale. Me gjithë atë fuqi votuese, nuk kanë arritur të krijojnë stabilitet institucional, por sikur me vetëdëshirë duan ta bëjnë këtë bllokim të vendit”, ka thënë Demaku.
Sipas tij, vendi rrezikon të përballet sërish me paqëndrueshmëri politike nëse, siç tha ai, nuk ka një reflektim të qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.
“Nëse nuk do të ketë një reflektim më të madh të qytetarëve në raport me propagandën e Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, këto rreziqe janë në vazhdimësi, sepse e kaluara e afërt na ka treguar se ai vazhdimisht bën akrobacione të tilla, gjithherë në interesin e tij personal, duke mos i kushtuar rëndësi përgjegjësisë ndaj qytetarëve dhe Kosovës”, ka thënë ai./teve1.info/







