Tym i dendur u lëshua ditë më parë nga termocentralet në Obiliq.
Ashtu siç u njoftua, arsyeja ishte një defekt në filtera.
Por kjo situatë ngriti shqetësim te qytetarët.
Banorët e kësaj zone thanë për televizionin, se ky ajër i ndotur, nuk është dukuri e re për ta.
Mirëpo, siç thonë, pavarësisht kësaj, askush nuk po merret me këtë çështje.
“Unë pesë operime i kam pas edhe me kancer jam, çka mundemi me bo kur s’kemi tjetër. Duhet me pas kujdes për popull, por nuk po merr masa askush”, tha qytetari Sabit Krasniqi.
Ndotja e ajrit vlerësohet se sjell dëme të mëdha në shëndet.
Nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Obiliq thonë se ky problem ka kohë të gjatë që është aktiv.
“Fatkeqësisht ndotja e ambientit në Obiliq është një nga problemet mjedisore në Kosovë, e për fat të keq kështu ka qenë që një kohë të gjatë… ne mendojmë se urgjentisht duhet të merren mesa në monitorimin e vazhdueshëm të ndotjes së ajrit, monitorimin e përhershëm të filtrave, inspektime të shpeshta, instalimi i teknologjisë së detoksikimit”, thotë drejtoresha e QMF-së në Obiliq, Vjollca Hoti.
Sipas pulmologut, Besim Morina, personat më të ndjeshëm nga ndotja e ajrit janë ata me sëmundje kronike.
“Pacientët të cilët kanë asmë bronikiale, bronkit kronikë, kanë sëmundje malinje apo kancer të organeve të ndryshme, pastaj ata me sëmundje kardiovaskulare, me dekompozim kardiak, me hipertension, me çrregullime të ritmit e deri të sëmundjet e tjera kronike, pra këta janë më të ndjeshmit”, thotë Morina.
Ashtu siç ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës, fillimisht është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave, i cili më pas, është sanuar.
Gjersa për këtë çështje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet, pas pranimit të informacioneve dhe një video-incizimi që pretendohet se dëshmon lirimin e tymit ndotës nga oxhaqet e kësaj ndërmarrjeje.






