Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Kosova nuk i përket një lëvizjeje politike, një lideri apo një narrative të vetme, por qytetarëve të saj.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Rama ka shprehur shqetësim për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke i cilësuar ato si pasqyrë të një përqendrimi të rrezikshëm të pushtetit.
Sipas tij, situata aktuale “minon themelet e republikës demokratike” dhe nuk përfaqëson një qeverisje të shëndetshme, por një model që, siç tha ai, karakterizohet nga kontrolli, përjashtimi dhe kapja e institucioneve.
“Kosova është ndërtuar mbi parimet e pluralizmit, transparencës dhe llogaridhënies. Asnjë parti e vetme, pavarësisht fuqisë së mandatit që ka, nuk ka të drejtë t’i tejkalojë këto parime apo t’i trajtojë institucionet shtetërore si zgjatje të makinerisë së saj politike. Megjithatë, pikërisht drejt kësaj rruge jemi duke shkuar”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, gjithnjë e më shumë po e zbeh vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit, duke theksuar se vendimmarrja po centralizohet dhe proceset demokratike po dobësohen.
“Vendimet po centralizohen, zërat kundërshtues po anashkalohen dhe proceset demokratike po dobësohen”, ka deklaruar ai.
Rama gjithashtu ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës, që duhet të jetë qendra e debatit demokratik dhe përfaqësimit qytetar, rrezikon të shndërrohet në një institucion formal pa rol të vërtetë mbikëqyrës.
Duke folur në cilësinë e tij si kryetar i Prishtinës, ai ka theksuar se këto zhvillime ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët dhe tek mënyra e funksionimit të qeverisjes lokale, duke kërkuar fuqizim të komunave dhe bashkëpunim më të madh institucional.
“Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan. E ardhmja jonë varet nga mbrojtja e normave demokratike, jo nga zbehja e tyre”, ka përfunduar Rama./teve1.info/







