Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni ka deklaruar se nëse opozita ka dilema për kushtetutshmërinë gjatë procesit të votimit për president, siç tha, le t’i adresojë në institucione.
Kështu u shpreh ajo para fillimit të seancës të thirrur për në orën 19:00.
“Bojkoti i opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentit tregon që ata janë të interesuar ta shkaktojnë një tjetër dëm të madh për qytetarët e vendit tonë dhe për vendin tonë, duke e rinisur një proces të ri zgjedhor dhe nuk janë të gatshëm që të hyjnë aty edhe fundja ta bëjnë punën e vet si deputet, të ngrisin dorën për presidentin e ri të Republikës së Kosovës… Opozita është mirë, nuk është diçka e re kjo, nuk është diçka që nuk e kemi dëgjuar, e kemi dëgjuar vazhdueshëm në vitin 2025. Prapë do të vazhdojmë ta dëgjojmë tani. Nëse ata kanë dilema të tilla le të adresohen aty ku është adresa për t’i dërguar këto ankesa e le t’i kthehen përgjigjes se cili është kontributi i tyre për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ajo.
Tutje, tha se janë të gatshëm për tërheqjen e njërës kandidate për presidente, por që shtoi se nuk beson që janë të përcaktuar për president.
“Kemi thënë që jemi të gatshëm që ta tërheqim njërën kandidaturë nëse opozita vlerëson që ka një kandidat. Por, nëse më pyesni mua, nëse ata nuk kanë pasur një kandidat deri më tani s’besoj që do të mund jenë përcaktuar brenda këtyre dy orëve të fundit për një emër. Se jo se nuk e kanë, ose jo se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, por sepse nuk do të duan t’i ofrojnë vendit zgjidhje nëpërmjet votimit për të zgjedhur presidentin e ri të Republikës së Kosovës por po duan që ta qojnë vendin në një proces të ri zgjedhor, sepse kështu nëpërmjet kësaj ata do ta pamundësojnë Qeverinë Kurti. Dhe po besoj që po shpërfaqet mjaftueshëm mirë qartë që ky është i vetmi qëllim i opozitës”, deklaroi ajo.







