TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Fermerët drejt humbjes: Qumështi vendor mbetet pa treg

by teve1
3 orë ago
0
A A
Fermerët drejt humbjes: Qumështi vendor mbetet pa treg

Në fermat e Kosovës, qumështi prodhohet, por gjithnjë e më shpesh mbetet pa u shitur.

Fermerët paralajmërojnë se, nëse trendi vazhdon, do të detyrohen ta hedhin prodhimin.

Sipas tyre, problemi kryesor qëndron te mungesa e blerjes së qumështit të freskët nga kompanitë përpunuese, të cilat, siç thonë, po e ulin kërkesën, për shkak të rritjes së importit dhe përdorimit të produkteve zëvendësuese, si vaji i palmës dhe qumështi pluhur.

Përpunuesit, në anën tjetër, argumentojnë se tregu është i mbingarkuar me produkte të importuara me çmime më të ulëta – gjë që, sipas tyre, e vështirëson absorbimin e qumështit vendor.

Konsumi i lartë, por treg i paqëndrueshëm

Produktet e qumështit si djathi, jogurti, kosi, ajka dhe kaçkavalli mbeten ndër më të konsumuarat në Kosovë.

Sipas Raportit të Gjelbër të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2024, konsumi për kokë banori i këtyre produkteve arriti në rreth 228 kilogramë në vit, apo mesatarisht rreth 600 gramë në ditë.

Por, pavarësisht kërkesës së lartë, zinxhiri i furnizimit po përballet me çrregullime serioze në grumbullim dhe shitje.

Një nga kompanitë përpunuese, “Pashtriku” në Rahovec, raporton rënie të dukshme në bashkëpunimin me fermerët.

Pronari i saj, Naser Morina, thotë se numri i fermerëve me të cilët ka kontrata, ka rënë nga 300 para tre muajsh në 230 aktualisht, ndërsa sasia ditore e qumështit të grumbulluar është ulur nga 30 mijë në 20 mijë litra.

“Është e vështirë të ndërpritet bashkëpunimi me fermerët, pasi ata investojnë dhe punojnë shumë në prodhim, por mungon tregu. Edhe fabrikat përpunuese e kanë ulur kërkesën”, thotë ai.

Për shumë fermerë të vegjël, kjo situatë nuk është vetëm çështje tregu, por mbijetese ekonomike, pasi të ardhurat nga qumështi përbëjnë burimin kryesor të jetesës për familjet në zonat rurale.

Paralajmërime për krizë në sektor

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit në Kosovë, Naser Bajraktari, e cilëson situatën alarmante.

Sipas tij, rreth 30 për qind e qumështit të prodhuar në vend nuk blihet nga kompanitë përpunuese, ndërsa prodhimi ditor kalon 200 mijë litra.

Shoqata e Industrisë së Qumështit, në anën tjetër, thotë se kompanitë përpunuese po përballen me stoqe të pashitura dhe presion të madh nga importi.

Gani Durmishi nga kjo shoqatë thekson se sfidë kryesore është konkurrenca e huaj.

“Shtetet e tjera i subvencionojnë prodhuesit e tyre dhe ata dalin në treg me çmime më të ulëta. Konsumatori nuk e shikon origjinën, por çmimin”, thotë Durmishi.

Për më tepër, sipas tij, rritja e kostove operative – për energji, karburante, ambalazh dhe fuqi punëtore – e bën të pamundur konkurrimin me produktet e importuara.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vetëm vitin e kaluar janë importuar mbi 20 milionë euro qumësht dhe mbi 26 milionë euro djathëra të ndryshëm.
Thirrje për masa mbrojtëse

Përballë kësaj situate, përpunuesit kërkojnë ndërhyrje institucionale, duke përfshirë kufizimin e importit apo vendosjen e masave të përkohshme mbrojtëse.

“Duhet të kufizohet importi ose të vendoset ndonjë akcizë, të paktën për një periudhë të shkurtër, derisa t’i shesim stoqet. Përndryshe, do të detyrohemi ta derdhim qumështin dhe kjo i demotivon fermerët”, thotë Durmishi.

Kushtetuta e Kosovës ndalon kufizimet që cenojnë konkurrencën e lirë, përveç rasteve të përcaktuara në mënyrë eksplicite me ligj.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se brenda kornizës ligjore ekzistojnë mekanizma që mund të përdoren për të mbështetur prodhimin vendor, pa cenuar parimet e tregut të lirë, si: rritja e standardeve të kontrollit, transparenca më e madhe në etiketim dhe stimulimi i konsumit të produkteve vendore.

Importi, kostot dhe konkurrenca e pabarabartë

Sipas ish-kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, teprica në treg nuk është rast i izoluar, por rezultat i faktorëve strukturorë.

Ai thekson se importet me çmime më konkurruese kanë zvogëluar hapësirën e produkteve vendore.

“Shtetet e BE-së shpesh subvencionojnë produktet e tyre, veçanërisht kur kanë teprica, duke i bërë më konkurruese në treg”, thotë Gjinovci, aktualisht profesor në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Kosova, përndryshe, ka kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar një pjesë të madhe të tregut, por vazhdon të mbetet e varur nga importi.

Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në vend janë të licencuara 44 objekte për përpunimin e qumështit, ndërsa, sipas Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, mbi 2.500 fermerë janë të regjistruar në sektor.

Në Raportin e Gjelbër të Ministrisë së Bujqësisë thuhet se numri i lopëve qumështore në vitin 2024 ishte mbi 126 mijë, apo rreth 7 mijë më pak se në vitin 2020.

Po ashtu, prodhimi i qumështit ka rënë nga 281.960 tonë në 268.980 tonë.

Me këtë nivel, Kosova mbulon rreth 61 për qind të nevojave të brendshme, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga importi.

Çmimi i qumështit në tregun e brendshëm varion nga 1.15 deri në 1.30 euro për litër, ndërsa në raste promocionesh mund të bjerë edhe nën një euro.

Debati për vajin e palmës dhe përbërësit zëvendësues

Një tjetër shqetësim i ngritur nga fermerët lidhet me përdorimin e zëvendësuesve, si vaji i palmës dhe qumështi pluhur, të cilët, sipas tyre, mund të ndikojnë në cilësinë e produkteve dhe konkurrencën e drejtë.

“Për shembull, djathërat që nuk përgatiten qind për qind me qumësht, por me shtesa të tjera, siç është yndyra bimore, vaji i palmës dhe qumështi pluhur… Këto e dëmtojnë bujkun”, thotë Bajraktari.

Por, Durmishi i kundërshton këto pretendime, duke thënë se përdorimi i këtyre përbërësve është i rregulluar dhe i deklaruar.

Sipas tij, vaji i palmës dhe qumështi pluhur përdoren në sasi të kontrolluar, varësisht nga lloji i produktit.

“Nuk guxon askush të plasojë produkt në treg pa e deklaruar përmbajtjen”, thotë Durmishi i Shoqatës së Industrisë së Qumështit.

Nga kjo shoqatë, mendim tjetër ka Ramadan Mema, i cili thekson se përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur si zëvendësues po e dëmton industrinë vendore dhe konsumatorin.

Sipas tij, problemi kryesor mbetet mungesa e kontrollit të mjaftueshëm dhe “prania e produkteve mashtruese në treg”.

Një sektor mes subvencioneve dhe pasigurisë

Vaji i palmës është një ushqim me bazë bimore, i cili nxirret nga shtrydhja e frytit të palmës vajore.

I përdorur në industri të ndryshme ushqimore dhe kozmetike, ai po bëhet gjithnjë e më i pranishëm edhe në tregun kosovar, sipas të dhënave doganore.

Sasia më e madhe e këtij produkti në Kosovë vjen nga Malajzia, Indonezia, Italia dhe Austria.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje për këtë çështje qysh më 17 prill në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe në Ministrinë e Bujqësisë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

REL-i ka mësuar nga burimet e veta se, gjatë kësaj periudhe, AUV-i ka kërkuar sqarime nga fabrikat përpunuese lidhur me mundësinë e përdorimit të vajit të palmës në produktet e tyre.

Ministria e Bujqësisë me masa për mbrojtjen e tregut

Por, më 28 prill ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka njoftuar se ka marrë disa masa të cilat synojnë të garantimin e cilësisë së produkteve, mbrojtjen e konsumatorëve dhe fuqizimin e prodhuesve vendorë.

“Kategorizimi i detyrueshëm i produkteve të qumështit, çdo produkt në treg do të duhet të etiketohet dhe kategorizohet qartë. Nuk do të lejohet përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme. Do të ketë kontrolle të shtuara kufitare, ku çdo produkt i qumështit që hyn në Kosovë do t’i nënshtrohet analizave laboratorike për verifikimin e përbërjes”, tha Muja në një konferencë për media.

Krahas kësaj është vendosur edhe akcizë për qumështin pluhur.

Masat do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi, në varësi të zhvillimeve në treg.

Sipas ministrit Muja, këto masa janë ndërmarrë pasi prodhimi vendor i qumështit të freskët po përballet me ndikim të drejtpërdrejtë nga rritja e importeve, veçanërisht e qumështit pluhur, si dhe nga produktet që përmbajnë vaj palme.

Në një komunikatë për media të Ministrisë së Bujqësisë thuhet se është diskutuar për vështirësitë në rritje të plasimit të qumështit vendor, si pasojë e ndryshimeve në strukturën e tregut dhe presionit të shtuar nga importet dhe produktet zëvendësuese.

Ministri Muja ka ritheksuar nevojën që industria përpunuese të rrisë nivelin e grumbullimit të qumështit vendor, duke e cilësuar këtë si një element kyç për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e prodhimit vendas.

Sektori i bujqësisë vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe konsiderohet si shtyllë e domosdoshme e ekonomisë rurale.

Rëndësia e tij lidhet drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit, punësimin në zonat rurale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Qeveria po zbaton disa politika mbështetëse përmes subvencioneve dhe granteve investive, të cilat kanë ndikuar në forcimin e kapaciteteve të fermerëve.

Megjithatë, sipas Bajraktarit, Qeveria nuk po e përmbush rolin e saj në mbrojtjen e prodhimit vendor.

“Nuk po mbrohet prodhimi për të cilin shteti ndan para. Këtu qëndron problemi. Ka shumë import dhe përpunuesit nuk po arrijnë t’i shesin produktet e tyre”, thotë ai.

Mendim të ngjashëm ndan edhe Gjinovci, i cili vlerëson se subvencionet nuk duhet të kufizohen vetëm në rritjen e prodhimit, por duhet të shoqërohen me politika që krijojnë një treg funksional dhe të qëndrueshëm, duke respektuar parimet e tregut të lirë.

“Kjo nënkupton se, përveç mbështetjes financiare për fermerët, duhet të ekzistojnë mekanizma që mbrojnë prodhimin vendor nga konkurrenca e pabarabartë dhe që nxisin përdorimin e lëndës së parë vendore nga industria përpunuese”, thekson ai.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka dhënë përgjigje lidhur me vlerën e mbështetjes për vitin e kaluar, por, sipas Raportit të Gjelbër, në vitin 2024 buxheti për Programin e Pagesave Direkte ka qenë mbi 66 milionë euro.

Në kuadër të këtij programi, 90 euro në vit ndahen për çdo lopë, ndërsa për çdo litër qumësht të prodhuar jepen subvencione prej 2 deri në 7 centë, në varësi të cilësisë.

Ekspertët paralajmërojnë se pa një lidhje të drejtpërdrejtë mes subvencioneve dhe funksionimit të tregut, këto mbështetje rrezikojnë të kenë efekt të kufizuar afatgjatë.

Sipas Gjinovcit, mungesa e mbrojtjes së prodhimit vendor rrezikon seriozisht qëndrueshmërinë e këtij sektori strategjik.

“Pa mbrojtje të prodhimit vendor, rrezikojmë të humbim një sektor me rëndësi strategjike. Konsumatori duhet të dijë se çfarë blen, ndërsa institucionet duhet të garantojnë konkurrencë të drejtë në treg”, përfundon ai.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Përpjekjet e fundit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi nis seancën

Përpjekjet e fundit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi nis seancën

Abdixhiku: Nuk marrim pjesë në “show” për presidentin, Kurti po e pengon procesin

Abdixhiku: Nuk marrim pjesë në “show” për presidentin, Kurti po e pengon procesin

Dugolli: Askush nuk po shkel Kushtetutën

Dugolli: Askush nuk po shkel Kushtetutën

MKRS: Anëtarësimi i “Reporting House” në NEMO, arritje e rëndësishme për kulturën dhe kujtesën kolektive

MKRS: Anëtarësimi i “Reporting House” në NEMO, arritje e rëndësishme për kulturën dhe kujtesën kolektive

Përpjekjet e fundit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi nis seancën

Përpjekjet e fundit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi nis seancën

Abdixhiku: Nuk marrim pjesë në “show” për presidentin, Kurti po e pengon procesin

Abdixhiku: Nuk marrim pjesë në “show” për presidentin, Kurti po e pengon procesin

Dugolli: Askush nuk po shkel Kushtetutën

Dugolli: Askush nuk po shkel Kushtetutën

MKRS: Anëtarësimi i “Reporting House” në NEMO, arritje e rëndësishme për kulturën dhe kujtesën kolektive

MKRS: Anëtarësimi i “Reporting House” në NEMO, arritje e rëndësishme për kulturën dhe kujtesën kolektive

Haradinaj: AAK nuk merr pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit

Haradinaj: AAK nuk merr pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit

Akuza për cenim të rendit kushtetues, opozita s’merr pjesë në seancën për Presidentin

Akuza për cenim të rendit kushtetues, opozita s’merr pjesë në seancën për Presidentin

Raundi i parë i votimit për Presidentin me 64 vota, shoqëria civile e sheh si shkelje e rëndë kushtetuese

Raundi i parë i votimit për Presidentin me 64 vota, shoqëria civile e sheh si shkelje e rëndë kushtetuese

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën