Në heshtje dhe me fotografi në duar.
Kështu familjarët e të zhdukurve, së bashku me Organizatën “Zëri i Prindërve”, u nisën nga Mitrovica drejt Mejës.
Ata iu bashkuan përkujtimit të viktimave të masakrës më të madhe të forcave serbe në luftën në Kosovë.
“Duhet me u bë më shumë edhe ju bëj apel institucioneve të bëjnë presion më shumë tek ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët mbi Beogradin, se shteti i Beogradit duhet me bë edhe me i tregu varrezat masive, me i tregu arkivat. Me 27 vite nuk janë 27 ditë. Ende t’u pritë, ende familjarët çdo ditë dhimbje, çdo ditë pritje, çdo ditë nuk është kjo… nuk është kjo zgjidhje. Kjo është çështje humane, mos të bëhet politike”, ka thënë Haziri.
Në Mejë të Gjakovës për kujtime, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti,
“Më 27 prill janë bërë 27 vjet nga kjo masakër, dhe ne kujdesemi që asnjëherë të mos harrojmë e gjithmonë të përkujtojmë gjakun e derdhur për liri të martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Po njëkohësisht angazhohemi maksimalisht që institucionet e drejtësisë e sigurisë t’i sjellin para gjyqit dhe të dënohen ata që ishin urdhërdhënës dhe ekzekutorë. Ka disa vite që është mundësuar të bëhet edhe gjykimi në mungesë dhe tashmë është rritur numri i njerëzve, kriminelëve serbë, që po dënohen në mungesë”, u shpreh Kurti.
E nga Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur u tha se do të kërkojë rikthimin në lokacionin e varrit masiv në Batajnicë.
“Kërkesa jonë kryesore, sidomos në vitet e fundit, mbetet kërkesa për t’u rikthyer në lokacionin e varrit masiv në Batajnicë. Sipas të gjitha të dhënave që kemi shqyrtuar me kolegët e Policisë, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të dhënave nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, kemi konkluduar se në këtë lokacion duhet të jenë mbetjet mortore ose kufomat e të paktën 80 viktimave”, ka thënë Gara.
Në vitin 2026 parashihet të ketë edhe intervenime në këtë kompleks memorial.
“Gjatë vitit 2026 jemi në komunikim me familjarët për ndërhyrjet që kanë qenë të parapara në pjesën e hapësirave te varrezat, ku planifikohet me u bë një shtrirje në të gjitha varrezat për shkak se terreni këtu është pak më i vështirë dhe mendojmë që ka me qenë një stabilizim i përhershëm”, theksoj Hakaj.
Me 27 prill 1999 forcat serbe në Mejë të Gjakovës vranë 376 persona.
Masakra nisi që në orët e para të mëngjesit ku djemë dhe burra nga mosha 15 deri 60 vjeç u grumbulluan dhe më pas u ekzekutuan.






