Mëngjesin e së hënës, një 32 vjeçar nga Istogu humbi jetën në një aksident trafiku.
Nga plagët që mori pas përplasjes me një shtyllë të betonit në magjistralen Pejë-Mitrovicë, ai ndërroi jetë.
Nga Policia e Kosovës dhanë detaje se si ndodhi e gjithë ngjarja.
“Rreth orës 06:00 të mëngjesit policia ka pranuar informatën për një vetë-aksident në fshatin Dobrushë të Istogut, ku si pasojë shoferi rreth 32 vjeçar ka humbur jetën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë policia, ekipet emergjente e zjarrfikësit. Mjeku ka konstatuar vdekjen, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme”, ka thënë Gashi.
Pas këtij vetë-aksidenti në vend të ngjarjes kanë dal edhe nga Prokuroria.
“Pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe prokurorin kujdestar nga departamenti i përgjithshëm i Prokurorisë në Pejë. Nga dyshimet preliminare dyshohet që ngasësi i automjeti ka humbur drejtimin dhe ka shkaktuar vetë-aksident. Ku për fat të keq nga plagët e marra ka humbur edhe jetën. Prokurori i shteti ka rekomanduar Policinë që të merr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe urdhër të prokurorit të shtetit trupi i viktimës është dërguar në IML”, u shpreh Nikqi.
Por ky nuk është aksidenti i vetëm që ndodhi në 24 orët e fundit.
Sipas raportit të Policisë, 34 aksidente u regjistruan në vend. Ku prej tyre 19 kanë përfunduar më të lënduar kurse 15 më dëme materiale.
Eksperti i komunikacionit, Visar Baxhaku, ka treguar shkaktarët që po dërgojnë këto raste me fatalitet.
“Në statistikat e viteve më radhë të paktën në tre vitet, vetë-aksidentet prinë pra kur pasojat janë fatale pra është karakteristike kjo për vendin tonë, ku hynë mos përshtatje e shpejtësisë, njohuritë e pamjaftueshme, infrastruktura dhe gjitha ku mblidhen vetë-aksidentet e përbëjnë numrin më të madh. Masa më të mira që ekzistojnë dhe që duhet më u përdor janë edukimi i përdoruesve”, theksoj Baxhaku.
Madje sipas tij, gjobat në trafik nuk japin më efekt që ky numër i aksidenteve të ulët.
“Pjesa e dënimeve apo gjobave në trafik e ka mbërri atë maksimumin e vet 8% më shumë nuk e ulë numrin e aksidenteve. Kjo është arritur me ligjin e vitit 2014-2015, ky ndryshim i fundit ka rritur gjobat dhe ka përfshirë disa kategori si trotinetet, mjetet elektrike, por nuk pritet ky ligj më bë ndonjë mrekulli”, ka thënë tutje Baxhaku.
Sipas raportit të Policisë në 24 orët e fundit janë shqiptuar 2014 tiketa trafiku për shkelësit e rregullave të komunikacionit.








