I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen tha të enjten se ka zhvilluar takime të mira në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryenegociatorin e Serbisë në dialog, Petar Petkoviq, për avancim të diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut si dhe analizimin e përparimit në zbatimin të Ligjit për të Huajt.
“U pajtuam për nevojën që të jemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve”, tha Sorensen përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Presidenti Vuçiq tha më herët gjatë ditës se me Sorensenin diskutoi për çështjet që rëndojnë marrëdhëniet në rajon.
“Në fokus të bisedës ishte situata në ‘Kosovë dhe Metohi’, veçanërisht siguria e popullsisë serbe dhe pasiguria e madhe që ajo përjeton, për shkak të aplikimit selektiv të ligjeve dhe diskriminimit të dukshëm në shumë fusha të jetës”, shkroi Vuçiq në Facebook.
Ai tha se masat e njëanshme të Prishtinës dhe zbatimi i ligjeve pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe “institucionet jetike serbe” në Kosovë.
Vuçiq shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Ndryshe, Muajin e kaluar, Sorensen u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.
Pas atij takimi, Qeveria e tij u ofroi disa lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në Ligjin për të huajt.
Sorensen gjithashtu së voni takoi edhe zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Një takim të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të këtyre dy vendeve nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023, edhe pse BE-ja ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një të tillë.
Vuçiq: Dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën







