Ishte e premtë kur e detyruan të largohej nga shtëpia.
Forcat serbe, familjen e Nezir Ahmetit, pasditen e 2 prillit të ’99-tës i hodhën në rrugë.
Asokohe 61-vjeçar, Neziri thotë se ushtarët serbë, ia hoqën prej dore edhe fëmijët.
E ai vetë, ishte lënë duke pritur në ankth.
“Me datën 2 prill na kanë largu nga shtëpitë e na kanë dërgua deri tek shkolla, aty na kanë kthyer prapë këndej. E na kanë pru këtu në këtë rrugën jemi kanë me gra me fëmijë me krejt na kanë zbrit të gjithëve nga traktorët. E aty i kam pas dy fëmijë për dore mi kanë heq prej dorës e na kanë shti në livadhe. Na kanë zhvesh pjesën lartë e na kanë thanë uluni në gjunjë, jemi ulur rend tanke e kish ndezë midis nesh aty veç urdhrin e pritnin me shkelë ata”, rrëfen i mbijetuari i masakrës.
Nga kjo situatë, 88-vjeçari, thotë se i nxori një oficer serb.
“Një oficer që nuk e njoh ju ka bërtit ju ka thanë kush ju ka thanë me i zhvesh njerëzit kështu, tha hiqeni tankën e neve na tha qohuni vishuni. Kurse me datën 3 na kanë mbajtë këtu gjithë ditën e gjatë, një kamion e kanë mbushur e kanë dërguar. Na thanë vijmë ju marrim edhe juve, por ata nuk erdhën me na marr ne hiç”, tregon Ahmeti.
Sulmet serbe në Kralan të Gjakovës zgjatën tre ditë.
Përgjatë këtyre ditëve, i mbijetuari thotë se një ushtar u kishte thënë se do i ushqenin.
Por kjo u kishte dalë një gënjeshtër, pasi forcat serbe veçse kishin vazhduar vrasjet.
“Një kapiten i klasit të parë na tha s’kemi bukë me ju dhanë se ju kishim dhanë edhe bukë e ju kishim qu, por s’po mundemi me siguru se s’patëm kamionë e tash keni me shku për Shqipëri. E disa serbë ishin kanë mbrapa këtu, atyre ja u ka bë me kry që me hi në atë tubim. Janë hi ata 87 a 97 më duket i kanë ndarë prej neve, tha këta kanë me qel rova këtu, e ju shkoni për Shqipëri. Kur jemi dal atje kanë kris automatët, ata i kishin pas vra atëherë”, shprehet i mbijetuari i masakrës, Nezir Ahmeti.
Ndonëse nuk i doli siç ju thanë, Ahmeti thotë se dy ditët e qëndrimit në rrugët e fshatit qenë tejet të vështira pa ngrënë e pa pirë.
“Ne, në traktorët tonë e kishim ushqimin po nuk na lejonin me shku me marrë, kurgjo nuk na kanë dhanë, asgjë s’kemi ngrënë dy ditë hiç”, thotë ai.
Në masakrën në Kralan të Gjakovës 27 vjet më parë, të vrarë mbetën 86 civilë shqiptarë.






