Të mërkurën tarraca ishte e zbrazur.
Por, një atmosferë krejt tjetër këtu ishte vetëm një ditë më parë.
Kjo meqë ky restorant në Prishtinë, vendosi njoftimin, përmes të cilit ofroi kafe e çaj falas për tifozët turq që udhëtuan për ta parë ndeshjen.
Krejt kjo si shenjë mirënjohje për ndihmën e shtetit turk për çlirimin e Kosovës.
E një ditë pas ndeshjes, pronari i restorantit, Mentor Berisha, tregoi se sa kafe i shërbyen falas të martën.
“Nuk e kemi shikuar, por edhe nuk është ndonjë kosto shumë e madhe për ne, ndoshta gastronomet edhe e dinë. S’po e di diku kah 1500 ndoshta edhe 2000 nuk i kam shikuar, nuk i kam numëruar por veç e di që i kam thanë gjithë kush të vjen edhe “Dardanëve” ju kam thanë merrni qaja. Kjo më shumë është shenjë simbolike që me tregu se sa mirënjohës jemi ne edhe me tregu që edhe ne si popull jemi bujar e mikpritës, këtë mesazh kam dashtë me përçuar”, është shprehur Mentor Berisha-pronar i biznesit.
E veprimi i kosovarit, bëri bujë të madhe, sidomos në mediat turke.
“Sidomos mediat turke kanë ardhur këtu na kanë intervistuar kanë bo foto, edhe institucionet turke, ministri i sportit erdhi ke kryetari i federatës së futbollit, ambasadori i Turqisë në Kosovë, ata u ndjenë shumë mirë dhe nuk e kanë prit këtë se po vijnë si tifoz”, tregon Berisha.
E mira kosovarit, iu kthye më të mirë nga turqit.
Mentor Berisha thotë se pas ndeshjes u ftua për t’i takuar nga afër futbollistët turq në hotel.
Madje, këta të fundit i dhuruan edhe një fanellë.
“Ministri më ka ftuar në hotelin ku qëndronin kombëtarja turke, më ka ftuar aty me i taku lojtarët dhe ma ka dhuruar një fanellë, por edhe atë se kam bërë publike se po e pres edhe një nënshkrim nga ana e tij se më ka premtuar”, thotë ai.
Pavarësisht se kafe dhuroi falas për tifozët turq, Berisha nuk mungoi krah “Dardanëve” në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”
“Unë jam tifoz i rregullt i skuadrës kosovare edhe e shikoj çdo herë në stadium edhe kësaj radhe veprova ashtu e papërshkrueshme një finale para finales, nuk kishim si me i ndihmuar skuadrës veç se tu e përkrahë sa edhe me pas mundësi edhe në fushë me hi me shku me bo diçka”, u shpreh ai.
Ndërsa, i njëjti uroi më shumë fat për Kosovën në ndeshjet e radhës.






