Teksa Moska pretendon se Aleanca ushtarake perëndimore po militarizon Ballkanin Perëndimor me qëllim përballjen me Rusinë dhe se Perëndimi po minon sigurinë në Bosnjë e Hercegovinë, nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian vijnë mesazhe të kundërta, duke theksuar se prania ndërkombëtare në vend ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit, e jo krijimin e konflikteve.
Megjithatë, nga NATO thonë se po vërejnë trendë shqetësues në Ballkanin Perëndimor, para së gjithash kërcënimet secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, si dhe ngecjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vendet autoritare si Rusia përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, duke shfrytëzuar dobësitë e brendshme në rajon për të përhapur përçarje. Çdo ndërhyrje e jashtme në proceset e brendshme demokratike është e papranueshme. Kjo përfshin hakimin, kërcënimet informative, frikësimin dhe aktivitete të tjera destabilizuese”, tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i NATO-s.
Pretendimet për militarizimin dhe destabilizimin e rajonit u paraqitën në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në mars, të mbajtur në Vjenë, ku përfaqësuesja ruse Iulia Zhdanova deklaroi se aktiviteti ushtarak dhe politik i NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të shkaktojë shqetësim të thellë.
Tema e takimit ishte zbatimi i Marrëveshjes për Kontrollin e Armëve, e cila buron nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit dhe i referohet Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
Zhdanova tha se aktivitetet e NATO-s e minojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe drejtpërdrejt Nenin 4 për kontrollin e armëve.
Në kundërshtim me pretendimet e Rusisë, Bashkimi Evropian në një deklaratë të përbashkët pas takimit të OSBE-së theksoi se Marrëveshja për kontrollin subrajonal të armëve tashmë prej tre dekadash kontribuon në stabilitetin e rajonit, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë.
Delegacioni rus gjatë fjalimit në Vjenë tha se “natyra e përgjithshme krize e situatës së brendshme politike është e përcaktuar nga roli destabilizues i vendeve perëndimore, të cilat ndërhyjnë në punët e Bosnjë e Hercegovinës sovrane, duke nxitur artificialisht tensione ndëretnike”.
Rusia akuzoi vendet perëndimore se duan të shkatërrojnë “sistemin e balancuar” të vendosur në Dejton, si dhe se synojnë ta riformatojnë Bosnjë e Hercegovinën sipas standardeve të tyre, duke shkelur interesat e popujve në këtë shtet.
Zhdanoa për “destabilizimin e situatës” fajësoi po ashtu edhe përfaqësuesin e lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, të cilin Rusia e konsideron jolegjitim, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që as nuk ka qenë e nevojshme.
Përfaqësuesin e lartë e emëron Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC) në Bosnjë e Hercegovinë, gjë që është bërë edhe në rastin e përfaqësuesit aktual të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Schmidt.
“Jemi të bindur për domosdoshmërinë e mbylljes urgjente dhe pa kushte të institucionit të protektoratit të huaj në Bosnjë e Hercegovinë”, tha përfaqësuesja ruse, duke fajësuar Perëndimin edhe për ndërprerjen e financimit rus të PIC-it, si dhe për mospjesëmarrjen në punën e këtij institucioni.
Për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Bosnjë e Hercegovina duhet të përmbushë 5+2 kushte dhe objektiva, ndër të cilat janë ndarja e pronës ndërmjet shtetit dhe niveleve të tjera të pushtetit, zgjidhja për pronën ushtarake, zbatimi i vendimit përfundimtar për Distriktin e Bërçkos, qëndrueshmëria fiskale e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe sundimi i ligjit, kushte që vendi ende nuk i ka përmbushur.
Analisti ushtarak Gjuro Kozar tha për REL-in se pretendimet ruse janë të pajustifikuara.
“Në situatën e sigurisë ndikon negativisht ndikimi i politikës ruse në Bosnjë e Hercegovinë, i cili manifestohet përmes politikës destruktive të udhëheqjes së Republikës Sërpska ndaj shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, të udhëhequr nga lideri i opsionit separatist, kryetari i SNSD-së, Millorad Dodik. Në përpjekjet për shpërbërjen e Bosnjë e Hercegovinës, establishmenti i RS-së ka mbështetjen e Rusisë, e cila kundërshton anëtarësimin e Bosnjë e Hercegovinës në NATO”, tha Kozar.








