Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takim Emanuele Giaufret, zëvendësdrejtorin Menaxhues për Evropën Perëndimore në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.
Gjatë këtij takimi, Abdixhiku ka diskutuar për qëndrimin e LDK-së për zhvillimet politike aktuale në vend, me theks të veçantë mbi situatën e krijuar rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe rolin e institucioneve të Kosovës në këtë proces.
Ai nënvizoi se përgjegjësia kryesore për përmbylljen e këtij procesi i takon shumicës parlamentare, duke shprehur bindjen se ky proces duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike dhe jo me imponim.
“Në lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, Kryetari Abdixhiku theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces zgjedhor, duke besuar se ka mundësinë për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe zhvillimore për vendin”, thuhet nw njoftimin e LDK-sw.
Po ashtu, Abdixhiku shprehu mirënjohjen e LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian ia ka ofruar Kosovës gjatë të gjitha proceseve, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të BE-së në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit.
Ai theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë, zhvillimit dhe integrimit evropian, duke e konsideruar këtë si një hap thelbësor në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe më të mirë për qytetarët tanë.







