Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave për disa vepra penale, përfshirë pranimin e ryshfetit në sektorin privat, keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikimin e dokumenteve.
Sipas njoftimit, pas zhvillimit të hetimeve dhe analizimit të provave, të pandehurit F.G. dhe M.G. dyshohen për veprën penale “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat” nga neni 309 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit S.B., R.M. dhe H.N. akuzohen për “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 390, ndërsa B.H., S.B. dhe B.G. për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit” nga neni 391 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.G., në cilësinë e menaxherit në Poligonin “R….”, me dashje dhe dijeni të plotë ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke pranuar përfitime të kundërligjshme. Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, ai ka pranuar shumën prej 600 euro, me qëllim që një kandidati t’i sigurojë çertifikatë për aftësim në përdorimin e armëve të zjarrit, pa iu nënshtruar trajnimit dhe provimit teorik dhe praktik.
Ndërsa i pandehuri M.G., sipas prokurorisë, me dashje dhe dijeni të plotë ka ndihmuar në vazhdimësi në kryerjen e kësaj vepre penale, duke i mundësuar F.G. përfitimin e kundërligjshëm dhe pajisjen e kandidatëve me çertifikata pa ndjekur procedurat ligjore të trajnimit dhe testimit profesional.
Po ashtu, të pandehurit S.B., R.M. dhe H.N., në cilësinë e instruktoreve/ligjëruesve në Poligonin “D….” në Prizren, dyshohen se kanë shënuar të dhëna të rreme në dokumente zyrtare, duke nënshkruar çertifikata për persona që nuk i janë nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik, në kundërshtim me Ligjin për Armë dhe udhëzimet administrative përkatëse.
Ndërkaq, e pandehura B.G., në cilësinë e administratores në të njëjtin poligon, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka plotësuar “Kërkesën për provim profesional për armë” me të dhënat e kandidatit dhe ka nënshkruar në emër të tij pa qenë ai fare i pranishëm.
Prokuroria ka bërë të ditur se aktakuza është ngritur pas mbledhjes së provave të mjaftueshme dhe se rasti do të trajtohet në procedurë gjyqësore sipas legjislacionit në fuqi.




