Të gjithë kishin zënë vendet e tyre.
E krejt këta po prisnin fillimin e manifestimi qendror të Epopesë së Dukagjinit të 1998-ës.
Kjo meqë, në këtë të martë u shënua 28 vjetori i kësaj epopje.
Komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se rrugëtimi për përballjen me armikun serb ishte bukur i vështirë.
“Pas disa përpjekjeve në Prekaz, pas Reçakut, ndodhi përballja në Prekaz, përballje e cila është vërtet unike dhe nuk ka tjetër, nuk krahasohet asgjë me këtë përballje. Qëndresa heroike e Adem Jasharit e familjes, e të gjithëve, dhe në flijimin e secilit është unike dhe e rrallë, dhe vërtet u kthye në një kushtrim për shqiptarët kudo që janë. Ishte rëndë për Gllogjanin se si do të shkonte përballja e radhës; Serbia e dinte kush jemi. Po të shkonte kjo përballje në dëm të UÇK-së, nuk ishte vetëm çka ndodhi me ne, por çka ndodhi me shqiptarët, si do shkojë më tutje kjo luftë. Epilogu i kësaj lufte rezultoi me fitoren e shqiptarëve. Edhe pse tre nga ne u vranë, mirëpo rezultoi se shqiptarët e fituan këtë luftë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj, në këtë datë të veçantë ndau edhe mirënjohje për gjeneralin e Ushtrisë Shqiptare Kudusi Lama.
E ky i fundit tha se Epopeja e Gllogjanit shënoi një kthesë të rëndësishme në luftën e UÇK-së kundër armikut serb.
“Një përballje që nuk ishte e thjeshtë, një betejë ushtarake, një pronë e madhe e karakterit, guximit, vendosmërisë së popullit shqiptarë për liri. Një ngjarje që shënoi një kthesë të rëndësishme, në rrjedhjen e luftës çlirimtare. Kujtojmë sot, një betejë që në historinë zë vend të veçantë, një moment kur përballë një makinerie të fuqishme ushtarake qëndroi një grup luftëtarësh të vendosur të cilët nuk kishin as epërsinë numerike, as në armatim, por diçka më të madhe besimin në drejtësinë e kauzës së tyre dhe vendosmërinë për të mos u nënshtruar. Kjo është një ditë reflektimi për historinë tonë”,u shpreh Lama.
Ndërsa, i pranishëm në këtë datë historike ishte edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
“Heronjtë dhe dëshmorët tanë, ata kanë treguar si është matur pastër dashuria për vendin, për secilin njeri e fëmijë që sot jeton. Historia jonë, që flasim për çdo përvjetor, nuk duhet të jetë vetëm krenari dhe lavdi, por edhe mësim, por jo i përsëritur. Historia nuk na mëson si mësohet matematika; historia duhet ta mësojë esencën e ekzistencës sonë si komb sot këtu, fëmijët tanë e ata që do të vijnë. Duhet të mësojmë edhe një gjë: se heronj nuk janë vetëm ata që kanë ra – ata po se po – por popujt kanë heronj që janë gjallë. Heroizmi nuk nënkupton vetëm nëse janë vra. Mos harroni që heronjtë tanë të gjallë nuk janë vetëm njerëzit tanë; kanë qenë edhe ata që kanë fluturuar në qiell se i kanë bombarduar armiqtë tanë, që kanë mbajtur flamurin amerikan, por edhe britanik, gjerman e francez”, ka thënë Gjini.
Kurse për të bërë homazhe në nderim të Epopës së Dukagjinit erdhi edhe kryekuvendarja Albulena Haxhiu.
“Para 28 viteve, Gllogjani u rrethua me qëllimin që të shuhet një vatër e rezistencës sonë. Por ndodhi pikërisht e kundërta. Familja Haradinaj, së bashku me luftëtarët tjerë të lirisë, me kontributin e tyre e çanë rrethimin dhe dëshmuan se përpjekja për liri as nuk rrethohet, as nuk ndalet dhe as nuk thyhet. Sot nderojmë Gazmend Mehmetajn, Agron Mehmetajn dhe Him Haradinajn. Kujtojmë dhimbjen e familjeve të tyre dhe popullit të Kosovës, sikurse edhe lartësojmë veprën e tyre sublime”, theksoj Hoxha.
Në këtë datë ranë heroikisht 28 vite më parë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.



