Familja Bajrami nga Skenderaj ka hapur dyert për kryeshëndosh.
Kjo pasi djali i tyre, Pajtimi, është në mesin e tre kosovarëve që humbën jetën në Vjenë të Austrisë, pas shembjes së një pjese të skeles së ndërtimit.
Bashkë me Pajtim Bajramit, në këtë ngjarje tragjike ndërruan jetë edhe Istref Zekaj dhe Asllan Musliu.
Sipas raportimit të mediave austriake, ngjarja ndodhi gjatë punimeve të betonimit në kuadër të ndërtimit në kulmin e një ndërtese.
Gazetari Vehbi Haliti tregon se konstruksioni u shemb papritur dhe e gjithë skela bashkë me konstruksionin ranë, pikërisht në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin në skelë.
Sipas asaj që kanë raportuar mediat në Austri, mbi 100 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës u angazhuan në këtë rast.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me gëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit te metejmë për të gjitha procedurat perkatëse.
Familjarët i kanë ngushëlluar edhe Presidentja Vjosa Osmani, e kryeministri Albin Kurti.
“Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne. Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave”, ka shkruar Osmani.
“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Përveç tri viktimave nga Kosova, njëri nga të vdekurit është shtetas i Bosnjes.






