Rasti i 5-vjeçarit në Lipjan: KOMF kërkon hetim

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5 vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është sjellë në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit.

Në reagimin e KOMF thuhet se kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh.

”Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre. Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon”, thuhet në reagim.

KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave të menjëhershme në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale.

“Ky rast rikonfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale. KOMF kërkon fuqizimin e kapaciteteve përmes rritjes së numrit të punonjësve socialë dhe profileve të tjera profesionale në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur”, thuhet tutje në komunikatë.

Organizata nënvizon rëndësinë e programeve për fuqizimin e familjeve në krizë dhe ofrimin e shërbimeve sociale që parandalojnë eskalimin e rasteve të tilla.

KOMF u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, pasi siç theksohet, në komunikatë, mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi kolektive.

“Çdo dyshim për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim sipas legjislacionit në fuqi duhet të raportohet menjëherë tek Policia e Kosovës apo Qendra për Punë Sociale. Raportimi në kohë, mund të jetë kufiri i vetëm që ndan jetën nga vdekja për një fëmijë në rrezik”, përfundon reagimi.

Postime të ngjashme

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Add New Playlist