Vetëm 23 ditë ishte jetëgjatësia e legjislaturës së dhjetë.
Ndonëse Kuvendi u konstituua me 11 shkurt, mëngjesin e hershëm të së premtes, presidentja aktuale vendosi ta shpërndajë atë.
Kjo meqenëse një natë më parë dështoi tentativa për të zgjedhur presidentin e vendit.
Por ky vendim sipas profesorit të së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu është në kundërshtim me ligjet në fuqi.
“60 ditshin ajo e ka neglizhuar, fillimin e seancës mbrëmë dhe ndërprerjen e saj që do të thotë se ajo seancë mund të vazhdohet dhe ka marrë një vendim gjegjësisht një dekret duke u thirrur pikërisht në këtë dispozitë e cila flet për krejt diçka tjetër dhe jo për shpërndarjen e Kuvendit me qellim që të shkohet në zgjedhje brenda 45 ditëve. Është një vendim që do të duhet të vlerësohet shpejt dhe menjëherë nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.
Por njëjtë nuk mendo edhe ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.
Sipas tij Vjosa Osmani ka vepruar drejtë me vendimin për shpërndarje të Kuvendit.
“Në momentin që nuk ke kuorum asnjë veprim nuk mundet me marrë kryetarja apo parlamenti, me këta deputet të cilët i kishin në seancë. Mendoj që e kemi një bllokadë në sistemin parlamentar për shkak se opozita nuk merr pjesë e këta i kanë 66 vota. Presidentja besoj e ka vlerësuar këtë dhe e njëjta situatë do të vazhdoj jo 60 ditë por edhe gjashtë muaj dhe ka shpejtuar dhe e ka nxjerrë një dekret të tillë dhe për këtë arsyeje mendoj që është vendim i drejtë”, potencoi Shala.
E kjo situatë sipas Baraliut ka sjellë vendin në një krizë të re politike.
“Kemi hy në një krizë të re dhe në këtë mënyrë kjo klasë politike kush më shumë e kush më pak vendin po e fundos gjithnjë më thellë dhe më keq duke përkeqësuar pozitë e vendit qoftë në planin ndërkombëtarë dhe atë vendor”.
Në një linjë me Baraliun, është deklaruar gjatë ditës edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ka thënë se me vendimin e sotëm, Osmani tronditi themelet e rendit kushtetues.
Hasani e vlerësoi si nevojë urgjente që Gjykata të vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Osmani.





