Në dhomat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), familjarët janë pjesë e përditshmërisë – jo si vizitorë, por si kujdestarë.
Në çdo shtrat, përveç pacientit, qëndron pranë edhe një bashkëshort, një fëmijë apo një prind, duke pritur në heshtje kalimin edhe të një dite tjetër.
Në mungesë të kujdesit të mjaftueshëm institucional, ata janë bërë hallkë e padeklaruar e trajtimit: ushqejnë pacientët, ua sjellin ilaçet që mungojnë, i ndihmojnë të lëvizin dhe i mbikëqyrin madje edhe gjatë natës.
Orë të tëra i kalojnë ulur në karrige dhe, kur kanë fat, mund të pushojnë për pak kohë në ndonjë shtrat të lirë.
Për këtë rol, që shpesh është jetik, ata duhet edhe të paguajnë.
Vendimi i menaxhmentit të QKUK-së që obligon përcjellësit të paguajnë nga tri euro për natë, për të qëndruar pranë të afërmve të tyre, ka shkaktuar pakënaqësi mes familjarëve, të cilët thonë se janë detyruar të marrin përsipër përgjegjësi që duhet t’i mbulojë vetë sistemi shëndetësor.
Kosova ka një sistem shëndetësor publik të financuar kryesisht nga buxheti i shtetit, por me burime të kufizuara dhe pa një sistem funksional të sigurimeve shëndetësore universale.
Kujdestarë të detyruar nga rrethanat
Remzije Berisha ka më shumë se dhjetë ditë që nuk është ndarë nga bashkëshorti i saj në Klinikën e Neurokirurgjisë.
“Jam këtu gjatë gjithë kohës dhe kujdesem për të”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
“Mjekët kanë thënë se duhet të jetë gjithmonë dikush pranë tij. Derisa ta lirojnë, unë nuk largohem”, thotë Remzija, ndërsa qëndron e ulur në të njëjtin shtrat me bashkëshortin.
Ajo tregon se netët i kalon aty, mes lodhjes dhe pasigurisë.
“Rri dhe fle këtu si të mundem. Nuk dua t’ua vështirësoj punën mjekëve dhe infermierëve, por kur kemi nevojë, duhet t’i thërrasim. Ata kanë edhe shumë pacientë të tjerë”, thotë Remzija.
Në të njëjtën dhomë, Durina Sylaj nga Deçani kalon ditët dhe netët në një karrige, duke u kujdesur njësoj për bashkëshortin e saj.
“Aq sa di dhe mundem, kujdesem për të”, thotë ajo, duke shtuar se nuk ka ankesa për përkushtimin e stafit, por se vëren mungesën e infermierëve.
Disa metra larg, në Klinikën e Neurologjisë, një tjetër familjar kujdeset për nënën e tij 80-vjeçare 24 orë në ditë.
Në dhomën e saj ndodhet vetëm një shtrat dhe dy karrige të vjetra.
“Mjekët kanë rekomanduar që të mos lihet vetëm asnjë moment. Ne e ushqejmë dhe kujdesemi që të mos i largojë tubat e oksigjenit”, thotë ai, por nuk do që të identifikohet.
Në një dhomë tjetër, edhe Lindita kujdeset për bashkëshortin e saj, i cili nuk mund të lëvizë.
Ajo thotë se e ndihmon t’i kryejë edhe nevojat më bazike.
“Jam këtu prej disa ditësh. Vetëm një natë kam pasur fatin të fle pak në një shtrat të lirë. Përndryshe, gjithë kohën kam qëndruar në karrige. Burri ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme. Atë që e bëjmë ne familjarët, nuk e bëjnë infermierët”, thotë ajo.
Pagesë për një rol që nuk u takon
Pavarësisht këtij realiteti, familjarët që qëndrojnë pranë pacientëve duhet të paguajnë nga tri euro për natë.
Të gjithë përcjellësit me të cilët bisedoi REL-i, janë të indinjuar nga ky vendim, por i janë bindur atij, për shkak të nevojës dhe mungesës së alternativave.
Në QKUK thonë se kujdesi për pacientët ofrohet nga mjekët dhe infermierët në përputhje me kushtet dhe kapacitetet ekzistuese.
Sipas një përgjigjeje me shkrim që ky institucion i dha Radios Evropa e Lirë, kjo tarifë ka nisur të zbatohet këtë muaj për të gjithë përcjellësit e pacientëve mbi 15 vjeç, në përputhje me udhëzimet administrative.
“Ky obligim zbatohet në të gjitha klinikat, me përjashtim të Klinikës së Onkologjisë dhe klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht se pacientët mund të jenë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së”, thuhet në përgjigje.
Disa orë pas publikimit të artikullit, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), që mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, reagoi në Facebook, duke sqaruar se “ky vendim buron nga Udhëzimi Administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore”.
“Është e rëndësishme të sqarohet se roli i personit shoqërues është mbështetës dhe emocional. Kujdesi shëndetësor mbetet përgjegjësi e stafit profesional. Çdo pretendim për mangësi në ofrimin e shërbimeve duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe jo të përgjithësohet”, tha SHSKUK-ja.
Kujdes psikologjik i kufizuar në Onkologjinë e Kosovës
Por, përfaqësuesit e pacientëve e konsiderojnë këtë vendim të padrejtë dhe problematik.
Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve të Kosovës thotë se vendimi reflekton dështimin institucional.
“Institucionet, në vend që t’i përmbushin detyrimet e veta, ua transferojnë përgjegjësinë familjarëve, të cilët nuk janë profesionistë shëndetësorë. Për më tepër, u kërkojnë edhe pagesë. Kjo është absurde”, thotë Kodra për Radion Evropa e Lirë.
Ai paralajmëron se prania e vazhdueshme e familjarëve në dhomat e spitalit, shpesh pa kushte të përshtatshme, mund të rrisë rrezikun e infeksioneve brendaspitalore si për pacientët, ashtu edhe për vetë familjarët.
Vitin e kaluar, vetëm në Qendrën e Mjekimit Intensiv në QKUK, infeksionet brendaspitalore kanë prekur mbi 70% të pacientëve gjatë disa muajve të vitit, ndërsa në Neonatologji, ku trajtohen foshnjat më të brishta, përqindja ka kaluar 20.
Problemet e tjera që përcjellin vazhdimisht QKUK-në, përfshijnë edhe listat e gjata të pritjes së pacientëve, mungesën e barnave dhe kushtet e dobëta infrastrukturore – deri te mungesa e çarçafëve dhe sapunëve.
Sistemi nën presion
Të dhënat zyrtare tregojnë se në QKUK janë të punësuar rreth 2.000 infermierë.
Megjithatë, sistemi shëndetësor përballet me një sfidë të vazhdueshme: largimin e profesionistëve shëndetësorë nga vendi.
Të dhënat që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Oda e Mjekëve të Kosovës tregojnë se nga viti 2018 deri në vitin 2021 janë lëshuar 493 certifikata për mjekë që planifikonin të punonin jashtë vendit.
Ky trend ka vazhduar edhe në vitet pasuese.
Ngjashëm ndodh edhe me infermierët – mesatarisht, rreth 300 infermierë largohen çdo vit nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në kërkim të pagave më të larta dhe kushteve më të mira të punës.
Ky fenomen është i pranishëm edhe në spitale rajonale të Kosovës.
Ai ka reduktuar kapacitetet e sistemit dhe ka rritur barrën mbi stafin e mbetur, por, në mënyrë indirekte, edhe mbi familjarët e pacientëve.
“… për shkak të mungesës së infermierëve, ne po detyrohemi të kujdesemi vetë për të afërmit tanë. Pagesa nuk mendoj se është në rregull”, thotë një përcjellës që prej ditësh kujdeset për babanë në repartin e Kirurgjisë Abdominale.










