Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e solemne të Qeverisë së Kosovës në 18-vjetorin e Pavarësisë, ka thënë se si shtet e shoqëri.
Ai ka përmendur disa nga të arriturat që ka shënuar vendi, duke thënë se për këto duhet të jemi krenarë të gjithë.
Në adresimin e tij, Kurti ka kujtuar ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës tonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për shpalljen e pavarësisë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, u shpreh Kurti.
Ai poashtu duke kujtuar rezistencën paqësore dhe kryengritjen e armatosur të cilat tha se kulmuan me luftën e drejtë të UÇK-së, tha se shpallja e Pavarësisë së Kosovë është një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin e popullit.
“Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet, mbase një moshë e re për shtetin por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Shteti i Kosovës është nderuar dhe qëndron mbi vlerat e lirisë,demokracisë, barazisë e drejtësisë dhe gjithëpërfshirës. Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet e shoqëri”, u shpreh Kurti./teve1.info/
Adresimi i plotë i Kurtit:
Sot, në këtë mbledhje solemne të qeverisë, kujtojmë aktin historik të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Kujtojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit. Nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull.
Vërtetë shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë.
Shteti i Kosovës është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e të demokracisë, të barazisë e të drejtësisë, prosperitetit dhe të gjithpërfshirjes. Secili qytetar, pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit.
Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri:
Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, e të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit;
Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe kapaciteteve mbrojtëse;
Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore,
Nga lëvizja e lirë pa viza, te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, e të cilat janë arritje që na bëjnë krenar të gjithëve.
Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësinë së Republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë.
Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar, dhe historia do të jetë ajo, e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë.
Të dashur qytetarë,
Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të një mandati të ri qeverisës me besim të madh nga qytetarët e vendit tonë. Punët që na presin janë të shumta dhe pritjet e qytetarëve janë të mëdha, por i lartë është motivi dhe fisnik është qëllimi që kemi para vetës.
Për forcimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, le të angazhohemi të gjithë bashkë me punë, dije dhe integritet.
Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, ushtarë e policë, të rinj e të moshuar, gra e burra, vajza e djem, që të gjithë duhet të japim maksimumin e kontributit tonë.
Sepse, këtë nga ne e presin brezat e shumtë që u flijuan ndër shekuj, si dhe rinia dhe fëmijët e Kosovës, që ne të jemi të lirë e ta kemi shtetin tonë. Le t’i bëjmë krenarë duke punuar e duke e zhvilluar dhe forcuar shtetin.
Qeveria dhe ne si kabinet qeveritar, jemi vetëm instrument në realizimin e këtij qëllimi të përbashkët.
Gëzuar 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Republikës sonë!
Lavdi e nderime të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe shtetin që sot gëzojmë







