Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se kanë propozuar që Projektligji për buxhetin të procedohet ashtu siç është paraparë.
Ai ka thënë se kjo është bërë për shkak të urgjencës dhe që të mos ketë bllokada.
“Duke parë këtë situatë, duke qenë të vetëdijshëm edhe për situatën emergjente që na pret sa i përket lëvizjes tutje dhe zhbllokimit të buxhetit qoftë për nivelin qendror apo edhe për atë komunal, ne i kemi propozuar si Ministri e Financave, Qeverisë që të procedojnë projektligjin ashtu siç ka qenë, duke mos reflektuar domosdo tash për tash ndryshmet e nevojshme për të gjitha prioritetet, por edhe për strukturën e qeverisë, që këtë ta bëjmë në një rishikim më pastaj”, tregoi Murati para deputetëve.
Ai ka thënë se në Ligj parashihet edhe ndryshimi i tabelave.
Murati ka thënë se të hyrat buxhetore janë 3.64 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve të mbulohet me kredi apo edhe me deficit.
“Është një buxhet që kufiri i shpenzimit është rreth 4 miliardë euro. Këto shpenzime mund të zbërthehen në kategori paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliardë e 358 milionë euro, shpenzime kapitale 998.4 milionë euro, si dhe 100 milionë euro të tjera të financuara nga klauzola e investimeve. Pjesa e mbetur e deficitit parashihet të financohet përmes huamarrjes ose granteve nga donatorët. Përveç këtyre, është paraparë që: Paga e 13-të të shtohet këtu, Përvoja e punës, që me ligjin e pagave për 15 vitet e para ishte 0.25% për vit, të kthehet në 0.5% në vit për të gjitha vitet. Shtyrja e hyrjes në fuqi të normës progresive për tatimin në pronë, në mënyrë që këtë vit të kemi një ligj të ri në konsultim me komunat, duke qenë se këto të hyra u shkojnë atyre”, ka deklaruar Murati./teve1.info/




