Një grup qytetarësh është mbledhur sot para ndërtesës së KEDS-it për të protestuar kundër propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Nën brohoritje dhe fishkëllima, protestuesit kërkojnë që tarifat e energjisë të mos rriten, duke theksuar se me pagat dhe pensionet aktuale është e vështirë të përballohet një rritje e tillë.
Marshimi i qytetarëve pritet të vazhdojë drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Protesta e sotme është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.
Në njoftimin e tyre paralajmërues, ata kanë kritikuar ashpër kërkesat e njëpasnjëshme të KEDS-it për rritje të tarifave dhe aprovimin e tyre nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
“Që nga viti 2022, faturat e rrymës shtrejtohen çdo vit. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja ia aprovon çdo kërkesë, duke e zhvendosur barrën te qytetarët. Ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, për keqmenaxhimin e tyre dhe për çdo gabim që bëjnë, ndërkohë që vazhdojmë të përballemi me ndërprerje të furnizimit dhe çmime të larta”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kritikuan gjithashtu përfitimet e KEDS-it nga puna e punëtorëve/eve të KEK-ut, të cilët prodhojnë energjinë, e cila blihet shumë lirë dhe u shitet qytetarëve me çmim të lartë.
“KEDS-i, i ndihmuar nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej”, kanë theksuar organizatorët.
Ndryshe, në fund të janarit, kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar një rritje prej 21.3% të çmimit të energjisë për vitin 2026.
Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në muajt në vijim./teve1.info/









