Në prill të vitit 2025, energjia elektrike me kërkesë të KESCO-s, u shtrenjtua për 16.1%.
E sërish këtë muaj, KESCO ka paraqitur kërkesë të njëjtë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.
Mirëpo kësaj radhe kërkesë e tyre është që energjia elektrike të shtrenjtohet për 21.4%.
Krejt kjo nën arsyetimet e rritjes së shpenzimeve.
Vendimin përfundimtar në lidhje me këtë çështje do ta marrë ZRRE-ja.
Megjithatë, njohësit e energjetikës, vlerësojnë se kjo kërkesë e KESCO-s vie si rezultat i papërgjegjësisë zingjirore institucionale.
“Në njërën anë është KEK që sillet në një mënyrë shumë të papërgjegjshme, për gjitha avaritë që janë shkaktuar në operimin e termoelektraneve të thëngjillit, në asnjë formë ajo nuk merr përgjegjësi për atë pjesë. Por, mos të harrojmë të përmendin KEDS e KOSTT nuk mbajnë përgjegjësi absolut për atë sistem elektroenergjetik e atë rrjet të vjetër e jo të modernizuar. Dhe në anën tjetër kemi ZRRE e cila është në gjumë të thellë. Por jemi që më shumë se një vit edhe pa qeveri”, shprehet, Adhurim Haxhimusa, njohës i energjetikës.
Paralajmërimi për rritjen e çmimit të rrymës nuk u mirëprit nga qytetarët.
Për ta, çdo shtrenjtim tjetër i rrymës do të jetë vështirë i përballueshëm.
“E shoh një katastrofë për popullin e Kosovës, për qytetarët. Në këtë krizë, në këto shtrenjtime, në këto malverzime, kjo është një katastrofë shumë e madhe. Deri kur kemi me mujt me duru, nuk e di. Veç secilën here po varfërohet populli. Mu për shembull m’ka ardhë 435 euro në muaj fatura e rrymës”, thotë qytetari Shaban Jashari.
“Familjet që e kanë një rrogë mesatare, ndoshta 400 euro, që do të jetë për ta premi e madhe, nuk mund t’ia dalin. Është shumë vështirë një familje, e cila ndoshta ka vetëm një punonjës, fëmijët e vegjël ose të rritur e në fakultete, është shumë vështirë t’ia dalin me këto tarifa të rrymës, mbeturinave e të ujit” , shprehet Petrit Hajdari- qytetar.
Në rast se kërkesa e KESCO aprovohet nga ZRRE, ndikimi parashihet të jetë më i madh.
Me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, vlerësohet se do të shtrohet nevoja edhe për rritje pagash.
“Në rrethanat ekonomike mendoj që e godet shoqërinë kosovare një rritje e tillë, dhe besoj që duhet të analizohen mirë e mirë që mos të ketë rritje edhe kësaj radhe, dhe të shihen edhe trendet ekonomike në të ardhmen. Sepse edhe këto rritje nëse eventualisht bëhen atëherë duhet të ketë edhe rritje të pagave të sektorit publik e privat. Çmimi i energjisë elektrike ose rritja e çmimit të energjisë elektrike, ndikon në çdo sektor të shoqërisë”, vlerëson profesori universitar Vezir Rexhepi.
ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin dhe caktimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Brenda katër viteve, ZRRE-ja caktoi dy herë tarifa të reja për energjinë elektrike, ku në vitin 2023 u aprovua rritja prej 15%, kurse në vitin 2025 u aprovua rritja prej 16.1%.







