Policia e Kosovës ka arrestuar një person 65-vjeçar, lidhur me rastin e rëndë të ndodhur në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku të dielën u gjetën të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnjë.
Sipas njoftimit të Policisë, nga hetimet fillestare dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes.
“Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes”, thuhet në njoftim.
I arrestuari është babai i 27-vjeçarit, ndërsa dyshohet për përfshirje në vdekjen e dy viktimave.
Me vendim të prokurorit, 65-vjeçari është ndaluar për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se rasti tashmë është cilësuar si “Vrasje e Rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.







