Analisti politik, Artan Alijaj ka vlerësuar se, pas vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ekziston më mundësia e bllokimit të institucioneve të Kuvendit të Kosovës, as për zgjedhjen e nënkryetarëve dhe as për pozita të tjera drejtuese, qoftë nga Lista Serbe apo nga ndonjë subjekt tjetër.
Sipas Alijajt, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar përfundimisht paqartësitë që kanë ekzistuar më herët lidhur me përbërjen e Kryesisë së Kuvendit, duke e bërë të panevojshëm çdo diskutim për ndryshime kushtetuese në këtë aspekt.
“Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj e përmend qartë se, në rast se një grup, në këtë rast Lista Serb tenton të bllokojë procesin, Kuvendi ka të drejtë të veprojë ashtu siç ka vepruar në rastin e Nenad Rashiqit. Fakti që ata kanë propozuar kandidatë do të thotë se nuk ka pasur bllokim dhe rrjedhimisht nuk ekziston më mundësia e tillë, as për nënkryetar e as për pozita të tjera.Tashmë nuk ka më paqartësi as për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit dhe as për përbërjen e Kryesisë, pasi këto çështje janë sqaruar dhe nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, duke qenë se ato janë pjesë e Kushtetutës ekzistuese”, ka deklaruar Alijaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Tutje, ai ka shtuar se kërkesat për ndryshime kushtetuese nuk përputhen me realitetin politik në vend.
Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës kërkon votat e dy të tretave të deputetëve të komuniteteve joshumicë, përfshirë së paku katër deputetë të komunitetit serb, gjë që, siç u shpreh ai, është e pamundur në rrethanat aktuale.
“Ndryshimi i Kushtetutës nënkupton votën e dy të tretave të deputetëve të komuniteteve joshumicë, çka do të thotë se së paku katër deputetë të komunitetit serb duhet ta përkrahin një ndryshim të tillë. Kjo është e pamundur në rrethanat aktuale, andaj kërkesat për ndryshimin e Kushtetutës nuk përputhen aspak me realitetin politik në të cilin ndodhet vendi. Megjithatë, edhe sa i përket këtyre dy pozitave, tashmë nuk ka nevojë për ndryshime, pasi çështjet janë sqaruar dhe ekzistojnë vendime përkatëse,” ka theksuar Alijaj.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në njoftimin për aktgjykimin, Gjykata tha më 28 janar se ky “në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues”.
Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.
Kushtetuesja tha se drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.
“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, u tha në aktgjykimin e Kushtetueses./teve1.info/







