Australian Open 2026 ka dhuruar edhe një tjetër ndeshje për t’u mbajtur mend, këtë herë që në raundin e dytë, me legjendarin Stan Wawrinka në qendër të vëmendjes. Në moshën 40-vjeçare, tenisti zviceran vazhdon të sfidojë kohën dhe limitet, duke treguar se ende mund të luajë në nivelin më të lartë.
Wawrinka arriti një fitore dramatike ndaj francezit Arthur Gea, me rezultat 4-6, 6-3, 3-6, 7-5, 7-6 (3), në një ndeshje maratonë që zgjati rreth 4 orë e 33 minuta dhe mbajti publikun në ankth deri në pikën e fundit.
Me këtë triumf, Stan Wawrinka u bë tenisti më i vjetër që arrin raundin e tretë të një Grand Slami që nga viti 1978, një rekord që e bën edhe më të veçantë paraqitjen e tij në Melbourne. Më herët, zvicerani kishte deklaruar se ky është sezoni i fundit i karrierës së tij profesionale, çka e bën çdo ndeshje të tij edhe më emocionale.
Publiku australian e shoqëroi Wawrinkën me ovacionet më të mëdha, duke treguar respektin dhe admirimin për një kampion që nuk dorëzohet. Edhe pse në prag të pensionimit, Stan dëshmoi se është ende gati për duele të gjata dhe të lodhshme, duke i dhënë shpresë tifozëve se aventura e tij mund të zgjasë edhe më shumë.
Wawrinka është kampion i Australian Open 2014, turneu ku fitoi Grand Slamin e parë në karrierë. Më pas, ai triumfoi edhe në Roland Garros 2015 dhe US Open 2016, duke kompletuar një karrierë të jashtëzakonshme. Pas fitores në Melbourne në vitin 2014, ai arriti edhe renditjen më të lartë në karrierë, duke u ngjitur në vendin e tretë të ATP-së.
Ky është sezoni i tij i 24-të në ATP Tour, dhe tashmë Wawrinka ka hyrë mes rekordmenëve të këtij sporti. Të gjithë shpresojnë që episodi i tij i fundit në Australian Open të zgjasë sa më shumë.
Në raundin e tretë, zvicerani do të përballet me numrin 9 të botës, amerikanin Taylor Fritz, një sfidë e vështirë, por që pritet me shumë interes.










