I akuzuari Boban Toniq është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit gjatë periudhës së luftës.
Fillimisht, u lexua aktakuza nga prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, gjykatësi i rastit Rrahaman Beqiri njoftoi të akuzuarin me të drejtat që ka, e më pas Toniqi u deklarua i pafajshëm.
Gjykatësi Beqiri njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Predrag Milokoviq se në afat prej 20 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 31 dhjetor 2025, Boban Toniq i njohur me njofkën “Bellko”, akuzohet se në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë – Jovan Jovanoviq, Avdia Sutkoviq dhe Zoran Gjokiq – ish-gardianë të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.
Aktakuza thotë se të burgosurit ishin torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte deri në alivanosje.
Viktimat kanë deklaruar se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha trupore, dhunë psikike, kanë mbetur pa ngrënë me ditë të tëra, duke iu shkaktuar ankth dhe frikë e duke iu cenuar rëndë dinjiteti.
Për këto veprime, Toniqi ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.




