Vitin 2026 e filloi me një vizitë në Kosovë.
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ndalesën e parë e pati në ekzekutiv.
Atje, u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë treguar përmes komunikatës se diskutuan për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit dhe rrugën e Kosovës në dialog.
“Kryeministri shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”, njofto Qeveria.
E nga këtu, emisari i BE-së u nis për në Presidencë.
Atje, u prit nga shefja e shtetit, Vjosa Osmani.
Kur doli nga takimi, para gazetarëve emisari danez tha se në këtë vit pret atë që nuk e dha viti paraprak.
“Urime Viti i Ri të gjithëve. Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, udhëtimin e parë të vitit. Pos Vitit të Ri, ju uroj edhe për zgjedhjet që vetëm sa i keni mbajtur. Po shikojmë para që të krijohet Parlamenti e të themelohet qeveria. Por, sigurisht siç ka qenë rasti me vitin 2025, ne punojmë për çështjet e dialogut që i kemi para nesh. Personalisht kam shpresa të mëdha që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk bëri. Dhe për këtë arsye e nisa vitin me udhëtim pune këtu e në Beograd pak më vonë. Siç e shihni po vonohem”, tha Sorensen.
Sorensen u pyet edhe për një takim të mundshëm në mes dy liderëve, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Por për këtë, nuk pati përgjigje konkrete, vetëm që po punohet në këtë drejtim.
“Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bota me rolin e lehtësuesit të dialogut. Të sigurohemi që palët të ulen e të flasin. Duhet të gjejmë mënyrë që të bëjmë këtë. Përfaqësuesja e lartë i ka vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar. Aty kemi pasur zotime se do të ketë takim kur të jetë koha e përshtatshme. Ajo do të thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë e më pas do të shohim si të ecet përpara”, u shpreh emisari për dialogun Kosovë – Serbi.
Për takimin folën edhe nga Presidenca.
Në takim sipas zyrës së Presidencës, u diskutua për zgjedhjet, situata e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.
“Në takim, Presidentja Osmani, theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, njoftoi Presidenca.
Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar sy më sy nga 14 shtatori i vitit 2023.
Gjatë këtij mandati, Sorensen arriti të realizoj vetëm dy takim në kuadër të kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq.
Nga Prishtina, Sorensen për një vizitë të tillë do të shkoj edhe në Beograd.








