Kosova gjatë vitit 2025 ka funksionuar pothuajse për një vit të tërë me një qeveri në detyrë, një situatë që sipas hulumtuesve të shoqërisë civile ka prodhuar probleme serioze ligjore dhe politike, veçanërisht sa i përket tejkalimit të kompetencave të përcaktuara me ligj.
Në qeverinë në detyrë pranojnë se janë me kompetenca të kufizuara, por thonë se kjo nuk e ka penguar mbarëvajtjen e punës, qeverisjen dhe shërbimet për qytetarë.
Për shkak të krizës politike, Kosova nuk mundi të formojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të 9 shkurtit, çka prodhoi zgjedhje të sërishme më 28 dhjetor.
Sipas Ligjit për Qeverinë, një qeveri në detyrë ka mandat të kufizuar dhe nuk mund të marrë vendime me ndikim afatgjatë politik, financiar apo institucional.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të monitoruesve të punës së ekzekutivit, ky parim është tejkaluar në mënyrë të vazhdueshme.
Qeveria në detyrë, gjatë kësaj periudhe, ka ndarë në mënyrë të njëhershme nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe fëmijët, po ashtu ka marrë vendim për ngritje të pagës minimale, si dhe disa vendime të tjera.
Mirëpo, në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Supreme kishte hedhur poshtë një Udhëzim Administrativ për arkat fiskale nga ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas aktgjykimit të saj, ministrat që janë edhe deputetë nuk mund të nxjerrin akte nënligjore, pasi kjo bie ndesh me dispozitat kushtetuese.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress se gjatë vitit 2025 janë përuruar çerdhe të reja, stacione të reja të policisë, dy ura të reja në Mitrovicë, si dhe janë rritur shtesat për nënat lehona.
“Për pjesën më të madhe të këtij viti, qeveria jonë ka qenë me kompetenca më të kufizuara, për shkak se ishte qeveri në detyrë. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar mbarëvajtjen e punës, qeverisjen dhe shërbimet për qytetarët. Gjatë kësaj kohe janë përuruar çerdhe të reja, stacione të reja të Policisë, dy ura të reja në Mitrovicë, janë rritur shtesat për nënat lehona, pastaj ushtrinë e kemi forcuar me dronë amerikanë Puma, autoblinda amerikane dhe mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe jemi anëtarësuar me të drejta të plota në EQAR dhe Aleancën Evropiane për Praktikën Profesionale, ndërkohë që punimet në projekte të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, me rëndësi si ajo Prishtinë–Mitrovicë dhe Prishtinë–Podujevë, si dhe studimet e stadiumeve të futbollit, si ai në Gjilan e Gjakovë, kanë vazhduar pa pengesa”, potencon ai në një përgjigje me shkrim.
Mirëpo, se qeveria në detyrë ka pasur ndikim të konsiderueshëm, pavarësisht kufizimeve që i njeh legjislacioni në fuqi, vlerëson hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Liridon Salihi.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron në faktin se këto kufizime janë tejkaluar në mënyrë të vazhdueshme.
Salihi thekson se, pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, qeveria në detyrë ka vazhduar të marrë vendime që bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe me interpretimin e dhënë nga Supremja.
“Problemi i parë është se kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një qeveri në detyrë e cila i ka disa kufizime sipas legjislacionit në fuqi. Çështja tjetër që e ka karakterizuar këtë qeveri ka qenë çështja e tejkalimit të këtyre kufizimeve që njihen me ligjin në fuqi. Siç e dini, edhe vendimi i Gjykatës Supreme në korrik të këtij viti e vërtetoi atë që e kemi thënë, se kabineti qeveritar, kur përbëhet edhe prej ministrave që janë zgjedhur deputetë, secila vendimmarrje e tillë është e kundërligjshme. Fatkeqësisht, edhe pas një vendimi të tillë nga Supremja, qeveria në detyrë ka vazhduar të marrë vendime që i tejkalojnë edhe kufizimet që i njeh Ligji për Qeverinë dhe që janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme”, thotë ai.
Nga ana tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë se qeveria në detyrë nuk e ka perceptuar veten si të kufizuar në ushtrimin e kompetencave dhe ka funksionuar praktikisht sikur të ishte një qeveri e rregullt, legjitime dhe e fuqiplotë.
Kjo qasje, sipas tij, ka rezultuar në miratimin e vendimeve të rëndësishme, pavarësisht mungesës së mandatit të qartë ligjor.
“Ka pasur një problem ligjor, i cili më pas është përkthyer edhe në problem politik. Kjo s’ka përbërë problem për qeverinë që të mos i ushtrojë kapacitetet e plota të saj. Keni parasysh se qeveria ka miratuar edhe ligj për ndarjet buxhetore, ku ajo nuk ka mandat. Ajo ka miratuar edhe pagën minimale, për të cilën nuk ka mandat. Ajo ka përcjellë në Kuvend edhe vendimet për miratimin e buxheteve të komunave pa pasur mandat. S’ka pasur vakum sa i përket asaj çka ka menduar qeveria, tjetër çka ka kundërligjshmëri dhe kundërkushtetutshmëri. Qeveria në vetvete nuk ka menduar që nuk ka kapacitete të plota. Me këto kapacitete që i ka, ajo ka funksionuar njëjtë sikurse një qeveri që është fuqiplotë, legjitime dhe legale. Kjo nuk është e shëndetshme për demokracinë dhe parimet e sundimit të ligjit”, deklaron ai.
Mendim të njëjtë ndan edhe Salihi nga GLPS, i cili deklaron se pjesa më e madhe e vendimeve të qeverisë në detyrë i kanë tejkaluar kufizimet ligjore.
Sipas tij, kabineti qeveritar në detyrë, në kohën sa kishte në përbërjen e tij edhe deputetë të certifikuar, ka tejkaluar kufizimet e tij ligjore.
“Ne vlerësojmë se një pjesë e madhe e këtyre vendimeve kanë tejkaluar ato kufizime që njeh Ligji për Qeverinë. Këto kufizime, qoftë në aspektin subjektiv apo objektiv, në natyrën e vendimeve që kanë marrë, kanë bërë që të njëjtat të jenë të kundërligjshme. Rrjedhimisht, secili vendim, kur është marrë dhe në prezencë kanë qenë edhe anëtarët e qeverisë që janë zgjedhur edhe deputetë, nënkupton se ato vendime janë të kundërligjshme. E dyta është se qeveria ka tejkaluar edhe kufizimet që i janë njohur me Ligjin për Qeverinë. Këto kufizime kanë të bëjnë me çështjen e shpërndarjes së disa mjeteve apo marrjes së vendimeve për shtesa apo tejkalim të disa autorizimeve ose kufizimeve sa i përket buxhetit. Në përgjithësi, ky kabinet qeveritar, në kohën sa kishte në përbërjen e vet edhe deputetë të certifikuar, vlerësojmë se i ka tejkaluar kufizimet ligjore”, thekson ai.
Në bazë të rezultatit preliminar të KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, LVV-ja në këto zgjedhje ka fituar mbi 49 për qind. Kjo do t’i mundësojë formimin e qeverisë me vetëm minoritetet jo serbe.







