Momente tensionesh janë regjistruar në protestën e Partisë Demokratike para Kryeministrisë së Shqipërisë teksa protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të godinës qeveritare.
Sipas medieve shqiptare, përshkallëzimi i situatës erdhi pas fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha, kur protestuesit tentuan që të çanin edhe rrethimin metalik të vendosur para kryeministrisë.
Megjithatë, tensionet zgjaten vetëm disa minuta, ndërsa më pas protestuesit u tërhoqën, duke mos regjistruar të tjera incidente.
PD organizoi mbëmjen e së hënës protestën kombëtare ku morën pjesë edhe përfaqësues të fraksioneve brenda partisë siç është Ervin Salianji.
Në fjalën e mbajtur para mbështetësve Berisha premtoi se opozita do ta rrëzojë qeverinë e kryeministrit Edi Rama të cilin e cilësoi kapobandë dhe përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Kreu i PD iu përgjigj edhe skeptikëve ndaj protestave të opozitës, duke theksuar se qëllimi i tyre është largimi i kryeministrit nga pushteti.
“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Për të shpëtuar familjen shqiptare, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë: ‘Çfarë do bëjnë këta? Ne do bëjmë atë ‘ja do vdesim, ja do rrojmë për liri’. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel… Kur ne kemi dalë me këtë betim, kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne, të nxijnë Shqipërinë… Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”, deklaroi Berisha.









