Presidenti francez, Emmanuel Macron pritet të njoftojë të enjten se Franca do të rivendosë shërbimin ushtarak vullnetar për shkak të kërcënimit në rritje rus në Evropë , raporton AFP, duke cituar burime.
Përveçse do të jetë vullnetare, skema do të paguhet dhe do të zgjasë 10 muaj, sipas raporteve të cilat ende nuk kemi qenë në gjendje t’i verifikojmë në mënyrë të pavarur, shkruan Guradian.
Shërbimi ushtarak i detyruar në Francë u hoq në vitin 1996.
Nuk janë bërë publike detaje zyrtare mbi shërbimin e ri ushtarak, por raportohet se Macron do ta njoftojë ndryshimin gjatë një vizite në një brigadë këmbësorie në Francën juglindore më vonë gjatë javës.
Kjo vjen pasi gjenerali Fabien Mandon , i cili mori detyrën e shefit të shtabit të ushtrisë në shtator, u kritikua ashpër kur paralajmëroi javën e kaluar se Franca rrezikonte “të humbiste fëmijët e saj” në një luftë të mundshme me Rusinë .
Ai sugjeroi që dobësia më e madhe e Francës në botën e sotme të paqëndrueshme ishte mungesa e vullnetit për të luftuar dhe tha se Rusia po “përgatitet për një përballje deri në vitin 2030 me vendet tona”.
Macron, një anëtar kryesor i “koalicionit të të vullnetshmëve” (një grup vendesh që kanë shprehur angazhim për të mbrojtur një marrëveshje paqeje në Ukrainë), paralajmëroi se Franca nuk duhet të tregojë “dobësi” përballë kërcënimit që paraqet Rusia.










