Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit, disa anëtarë që ishin kundër këtij vendimi mbajtën konferencë për media, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe pa kuorum.
Visar Krasniqi, anëtar nga shoqëria civile, tha se nuk kishin marrë njoftim për vazhdimin e mbledhjes dhe se çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi “është inekzistent dhe nuk prodhon efekte juridike”.
Ai deklaroi se Kelmendi “vazhdon detyrën”.
Anëtari Arian Gashi shtoi se kuorumi formohet vetëm me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur plus një, duke përfshirë rastet disiplinore, dhe bëri thirrje që të ushtrohen autorizimet ligjore për hetimin e vendimeve të kundërligjshme.
Veton Shabani paralajmëroi se mund të ketë edhe veprime të tjera të kundërligjshme dhe shantazh ndaj anëtarëve të KPK-së, ndërsa Dardan Vuniqi kërkoi nga Policia, AKI dhe mekanizmat e sigurisë të shtojnë kujdesin ndaj tyre për të parandaluar dualizmin institucional.
Besim Kelmendi theksoi se vendimi është në kundërshtim me ligjin dhe se nuk e ka pranuar atë zyrtarisht.
Ai shtoi se ka respekt për Agron Qalajn, i cili u caktua ushtrues detyre në vend të tij, por nënvizoi se vetëm organet kompetente mund të japin një vendim përfundimtar mbi këtë çështje.







