Të martën mbrëma kanë përfunduar kualifikimet e rregullta evropiane për Kupën e Botës 2026 në futboll. Kosova e Shqipëria do të paraqiten për herë të parë në plejof, që është faza e dytë dhe e fundit kualifikuese për Botërorin e futbollit.
Në bazë të pozitave në ranglistën e FIFA-s, Kosova e Shqipëria do të jenë në vazon e tretë për shortin e plejofit, që tërhiqet të enjten nga ora 13:00. Në vazon e tretë janë edhe Irlanda dhe Bosnjë-Hercegovina.
Në gjysmëfinale të plejofit, kombëtaret e vazos së tretë do të përballen me ato të vazos së dytë. Në vazon e dytë janë Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia.
Në gjysmëfinalet e 26 marsit të vitit të ardhshëm, kombëtaret e vazos së dytë do të jenë vendase.
Të gjitha kombëtaret e vazos së dytë vlerësohen cilësore, por jo të pakalueshme për Kosovën.
Kosova u rendit e dyta në grup me Zvicrën, Slloveninë e Suedinë. Dhe cilësi të përafërt me këto përfaqësuese kanë Polonia, Uellsi, Çekia e Sllovakia.
Me Poloninë, Kosova nuk ka luajtur deri më tani. Polonia u rendit e dyta në Grupin G. I mblodhi 17 pikë, tri më pak se Holanda. Prapa la Finlandën, Maltën e Lituaninë.
Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, është lojtari më i njohur i Polonisë. Por polakët kanë edhe lojtarë të tjerë cilësorë.
Uellsi doli i dyti në grup me Belgjikën, Maqedoninë e Veriut, Kazakistanin dhe Lihtenshtajnin. Uellsi përfundoi me 16 pikë, dy më pak se Belgjika e tri më shumë se Maqedonia e Veriut.
Në ndeshjen vendimtare për vendin e dytë, të martën mbrëma në Cardiff para 32 mijë shikuesve, e “shkatërroi” 7:1 Maqedoninë së Veriut. Uellsi ka ekip cilësor me shumë lojtarë në Premier League. Edhe me Uellsin, Kosova nuk ka luajtur deri më tani.
Çekia mbeti prapa Kroacisë në Grupin L. I mblodhi 16 pikë, gjashtë më pak se Kroacia. Çekët ishin më lartë se Ishujt Faroe, Mali i Zi dhe Gjibraltari. Çekia është përfaqësuesja e vetme me të cilën është përballur Kosova, prej katër përfaqësueseve të vazos së dytë.
Me golat e Vedat Muriqit dhe Mërgim Vojvodës, Kosova e kishte mposhtur 2:1 Çekinë, më 7 shtator 2019 në “Fadil Vokrri”. Ishte ndeshje e vlefshme për kualifikimet për Euro 2020.
Më 14 nëntor 2019 në Plzen, Çekia kishte fituar 2:1 ndaj Kosovës. Atdhe Nuhiu e kishte realizuar golin.
Sllovakia është kundërshtarja tjetër e mundshme e Kosovës në gjysmëfinale të plejofit. Sllovakia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sportistët kosovarë kryesisht nuk kanë pasur telashe në këtë vend. Edhe sllovakët patën kualifikime të mira. Përfunduan në vendin e dytë në grup me Gjermaninë. Gjermania i mblodhi 15 pikë, Sllovakia 12, Irlanda e Veriut nëntë dhe Luksemburgu mbeti pa pikë. Në shtator, Sllovakia e kishte mposhtur 2:0 Gjermaninë në Bratisllavë. Por gjermanët e fituan 6:0 ndeshjen vendimtare për vend të parë me Sllovakinë, të hënën në Leipzig.
Kosova me Sllovakinë nuk ka luajtur deri më tani.
Nëse e kalon kundërshtarin e gjysmëfinales, në finale të plejofit Kosova do të luajë me përfaqësuese të vazos së parë apo të katërt. Finalet janë më 31 mars, ndërsa nikoqirët do të përcaktohen përmes shortit.







