Kombëtarja e Shqipërisë do e luajë takimin e radhës me Andorrën. Kjo sfidë është e rezervuar për nesër në orën 20:45 dhe vlen për raundin e parafundit në kualifikueset e Botërorit 2026.
Në rast se Anglia dhe Shqipëria fitojnë takimet respektive, atëherë kuqezinjtë sigurojnë për herë të parë fazën “play off” të Botërorit 2026. Përpara transfertës historike në Andorra ka folur trajneri Silvinjos. Braziliani tha fjalën e tij në konferencën për shtyp.
Pritshmëria dhe ndryshimi nga ndeshja e parë – “Imagjinojmë që do të jetë një ndeshje e ndryshme në aspektin se Andorra është një kombëtare që Koldo Alvarez ka shumë vite në drejtim, e njeh shumë mirë lojtarët. Kanë anën mbrojtëse shumë të mirë, di limitet e lojtarëve. Mendoj se rezultatet nuk janë të thella, do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo e para që shënuam dy gola shpejt dhe na qetësoi. Kapiteni Gjimshiti tha që të gjitha ndeshjet janë të vështira, ndeshja e fundit me Serbinë, në 45 minuta ishte 1-1, nuk është e lehtë. Andorra është ekip që lufton për çdo centimetër në fushë, është ekip që shpresojmë të fitojmë ndaj tij. Por më pyetët dhe them se është e vështirë”.
Afron Botërori – “Kur flasim për ne, po rritemi si federatë, të gjithë po rriten dhe rezultatet janë Europiani, rruga e Botërorit. Është normal, diferenca është gjithnjë e më e vogël. Por më kryesorja është që futbolli është pasion. Themi që në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Gjithmonë kur luan jashtë është pak më e vështirë, ka një faktor që të ndikon. Padyshim afrohet Botërori, për ne në fakt afrohet play-off. E dimë që është një hap shumë i vështirë, është një situatë shumë e mirë, nuk ka ndodhur kurrë më parë që ky ekip të shkojë në ndeshjet e fundit në gjendje të shkojmë në play-off të Botërorit. Tani duam ta shfrytëzojmë, nëse bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Andorrës, mund të ndodhë”.
Do shikojmë Shqipëri sulmuese që në fillim, apo do mundohemi që të kontrollojmë kundërshtarin? Nesër ekipi ynë do jetë i njëjti që nisi kualifikueset kundër Anglisë. I njëjti shpirt, i njëjti ekip si është ndërtuar. Ne do jemi i njëjti ekip. Është e vërtetë, që mund të ketë ndryshim me një sulmues apo mesfushor tjetër, por ekipi i njëjtë, ndryshimet janë sipas ekipit me të cilit përballemi. Nesër na duhet fitorja. Ky është raundi i tretë për ne që jemi të detyruar për fitoren, që nga Letonia. Jemi ekip që pësojmë pak. Po ia dalim mirë deri tani, por ekipi është i njëjtë, nuk ndryshon. Kemi qetësinë dhe ekuilibrin.
Sa përgjegjësi ndjeni si trajner për të injektuar mentalitetin e duhur? Herën e fundit kur luajtëm kundër Serbisë, kishim 5-6 ditë për t’u përgatitur. Tani më pak. Tani nuk punohet shumë në stërvitje, por me video. Të flasësh me të gjithë lojtarët, duke ngrënë, duke disktutuar në mbledhje. Mesazhi mbetet. Jemi shumë të motivuar. I shikoj djemtë shumë mirë, atmosferë e mirë. Tani kur bëhet fjala për ndeshjen, përgjegjësia është e njëjtë për të gjithë stafin. Unë marr përgjegjësinë më të madhe si trajner. Lojtarët janë të përqëndruar. Nuk është ndeshje e lehtë, është shumë e vështirë. Lojtarë e dinë që duhet të jenë të përqëndruar dhe të japin maksimumin. Andorra ishte në barazim 1-1 pjesën e parë me Serbinë, është trajner i mirë tek Andorra që i njeh shumë mirë lojtarët dhe merr maksimumin. Dikush mund të thotë se është kundërshtar i lehtë në letër, por në fakt është ndeshje shumë e vështirë për t’u luajtur.
Rreshtimi – “Ne, më shumë se moduli i skuadrës, kemi ndryshuar pak karakteristikat e lojtarëve, në krahë, në mesfushë. Kemi nesër një ndeshje për të cilën kemi pak ditë punë, por kemi folur me lojtarët me stafin. Nuk më shqetëson moduli, por karakteristikat e lojtarit. Është e ndryshme 5-4-1 i Andorrës, se 5-3-2 e Serbisë, më shumë se moduli, është karakteristika e lojtarit, ku të marrë topin, me më shumë kohë për të vënë në vështirësi kundërshtarin. Nesër do të kemi diskutimet, pranë drekës do të vendosim lojtarët që do të shkojë në fushë.
Duhet të mendojmë, kemi studiuar, kemi parë shumë ndeshje në 15 ditët e fundit a më shumë, varet shumë nga karakteristikat e lojtarëve tanë. Ne po ndryshojmë, varet nga kundërshtari, se nuk janë njëlloj rreshtimet e Andorrës, Serbisë e Letonisë në mbrojtje. Nuk më shqetëson moduli, por të hedh një lojtar që të shfaqë një futboll të mirë në hapësira që mund të shfrytëzojë. Nuk është e lehtë se mbledhin mirë linjat dhe nuk pësojnë shumë gola, luftojnë për çdo centimetër, në çdo minutë, ta vështirësojnë shumë. Lojtarët e dinë, janë mësuar, nuk më shqetëson moduli, por karakteristikat e lojtarëve”.
Mungesa e golit – “Unë nuk jam i shqetësuar për lojtarët tanë. Të gjithë kanë ardhur në gjendje të mirë, janë dy ditë pune, por kanë punuar mirë dhe si e thashë, ne duhet të shfrytëzojmë karakteristikat e lojtarëve. Nuk dua të them emra, se janë 3-4-5 lojtarë që janë mësuar të shënojnë. Janë njerëz që në vitet e fundit me ne janë ata që kanë shënuar më shumë. Jam i qetë për lojtarët dhe jam i qartë kush mund të futet në fushë dhe të shënojë”.








