Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në Prishtinë, Drenas dhe Obiliq, gjatë datave 22 deri më 30 tetor 2026.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rastet përfshijnë dhunë psikike, kanosje dhe dhunë fizike ndaj grave nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se për një periudhë kohore kishte përjetuar vazhdimisht dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk jetonte prej disa muajsh. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është regjistruar në Drenas, ku një burrë është arrestuar pasi dyshohet se kishte kanosur bashkëshorten e tij. Edhe në këtë rast, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërkaq, në Obiliq është raportuar për dhunë psikike ndaj një gruaje nga bashkëshorti i saj. I dyshuari nuk është hasur nga njësitë policore, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Edhe në Prishtinë është raportuar një rast i kanosjes nga ish-bashkëshorti. Viktima ka deklaruar se ishte kërcënuar nga ai dhe se i dyshuari posedonte armë zjarri në shtëpi.
Me urdhër të prokurorit, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, por nuk ka gjetur ndonjë gjë të dyshimtë. Megjithatë, personi është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Dy raste të tjera janë raportuar më 30 tetor në Prishtinë. Në njërin prej tyre, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë psikike dhe e kishte kanosur. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërsa në rastin e fundit, një burrë dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Ai është arrestuar dhe intervistuar nga policia, por me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Të gjitha rastet janë bërë të ditura në raportin e Policisë së Kosovës, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore për rastet përkatëse janë duke vazhduar./teve1.info/




