Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë, në një konferencë për media të mbajtur sot në selinë qendrore të PDK-së.
Në fjalën e tij, Krasniqi tha se vendimi për dorëheqje është një akt reflektimi dhe përgjegjësie për t’i dhënë partisë një momentum të ri.
“Kjo është një dorëheqje reflektimi dhe përgjegjësie, për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në,” deklaroi ai.
Krasniqi falënderoi qytetarët, anëtarët dhe mbështetësit e PDK-së për përkrahjen gjatë dy dekadave të tij në politikë.
“Në rini, njeriu nuk e di gjithmonë se çfarë do të bëhet – por shumëherë e di në çfarë do të besojë. Dhe unë, që nga rinia, e kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndrrave të mia,” tha ai.
Duke kujtuar rrugëtimin e tij politik, Krasniqi u shpreh se përvoja në PDK ka qenë udhëtimi më i rëndësishëm i jetës së tij.
“Ajo që nisi si një angazhim rinor e idealist, u kthye në udhëtimin më të rëndësishëm të jetës sime. Mbi njëzet vjet angazhim me PDK-në më kanë dhënë nderin të punoj për shtetin tim dhe qytetarët e mi – nga Kryetar i Rinisë Demokratike deri te Kryetar i Partisë Demokratike. Mbi të gjitha, kam pasur nderin e pakrahasueshëm të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.”
Kryetari në dorëheqje tha se PDK është forcuar gjatë udhëheqjes së tij, por se çdo parti e madhe politike ka nevojë për ripërtëritje.
“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.”
Sipas tij, ky vendim nuk lidhet me zhvillimet e fundit politike, por me nevojën për të hapur një kapitull të ri për partinë.
“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën.”
Krasniqi theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj PDK-së dhe amanetit politik që ajo përfaqëson.
“PDK është më shumë se një parti – është një amanet nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet. Amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull, me guxim dhe me përulësi. Kjo është detyra e liderit – të dijë jo vetëm si të qëndrojë mirë, por edhe si të largohet mirë.”
Në fund të konferencës, Krasniqi njoftoi se më 17 nëntor do të mbahet Konventa e PDK-së, ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë.
“E di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike, e demokracisë sonë të brendshme dhe e forcës sonë për të ecur përpara.”
Krasniqi e përmbylli fjalimin me mirënjohje dhe emocione, duke theksuar se ndarja e tij nga drejtimi i partisë nuk është përfundimtare.
“Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari. Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta – në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë. Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim. Sepse kjo është shtëpia ime e dytë, shtëpia ime politike, shtëpia e krenarisë sime jetësore.”
Në fund, ai uroi partinë dhe vendin:
“Zoti e bekoftë PDK-në. Zoti e bekoftë Kosovën.”







