Ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi, ka vlerësuar se në uljen e numrit të vrasjeve në vend do të ndikonte arrestimi në kohë dhe shqiptimi i dënimeve të merituara për autorët e këtyre veprave.
Sipas Maliqit, ndikim pozitiv do të kishin edhe masat më të ashpra ligjore nga institucionet, prania më e madhe e policisë në terren, si dhe zbatimi i strategjive më efikase të sigurisë.
“Ndoshta puna kryesore dhe primare i bie institucioneve të sigurisë. Policia, përmes një prezence më të madhe në terren, ka mundësi të parandalojë vepra të tilla, ose në rast se ato ndodhin, të reagojë me kohë, t’i kapë autorët dhe t’i dorëzojë para organeve të drejtësisë që ata të marrin dënimin e merituar. Nëse dorasi arrestohet me kohë dhe dënohet në mënyrë të drejtë, kjo me siguri do të ndikonte në uljen e rasteve të tilla, të cilat do të ishin shumë më të rralla. Qytetarët me të drejtë kërkojnë masa më të ashpra ligjore, prezencë më të madhe të policisë në terren dhe një strategji më efikase përmes së cilës institucionet do të mund të ndërmerrnin masa parandaluese në kohë, në mënyrë që rastet e vrasjeve të ndodhin sa më rrallë, apo të mos ndodhin fare në vendin tonë”, ka deklaruar Maliqi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
I pyetur nëse mendon se është punuar mjaftueshëm në ndërtimin e mekanizmave parandalues për këto raste, Maliqi ka thënë se tashmë ka përparime të dukshme në këtë drejtim.
“Sot kemi mjaftueshëm policë, prokurorë dhe gjyqtarë. Kemi objekte, hapësira dhe një infrastrukturë shumë më të mirë si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë teknik. Por ajo që mungon është bashkërendimi i të gjitha këtyre institucioneve. Nevojitet që ato të hartojnë një strategji të përbashkët, përmes së cilës të rritet prezenca, efikasiteti, si në zbulim e ndriçim të rasteve, ashtu edhe në dhënien e verdiktit të fundit dhe meritor ndaj personave përgjegjës”, ka theksuar ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se dy vëllezër të moshës madhore janë vrarë me armë zjarri të enjten në një fshat të Malishevës.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë se dorasi i dyshuar kishte të kaluar kriminale dhe më herët gjatë vitit kishte qenë në paraburgim.
“Prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, më datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale ‘Dhunë në familje’ sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Kanosje’ sipas nenit 181 të KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja e Themelores në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Ndërkaq, sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, autoritetet ende nuk e dinë saktësisht motivin e vrasjes së dyfishtë.
“Kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë, të dyfishtë. Kryerësi i kësaj vepre penale është ende në arrati dhe policia, në bashkëpunim me prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha masat që sa më shpejt të identifikohet dhe të sigurohet prezenca e tij”, tha prokurori Gashi gjatë një prononcimi për media.
Ai konfirmoi se dorasi i dyshuar dhe viktimat kanë raporte familjare.
“Tani për tani s’mund të japim informacione shtesë sepse duhet të bëjmë verifikimin e këtyre informatave dhe më pas do të dalim me një njoftim zyrtar që informatat të jenë sa më të sakta. Ajo që mund të them është se viktimat dhe i dyshuari kanë raporte familjare, por motivin ende nuk e dimë saktësisht”, theksoi ai.







