Shumë persona në Orllan të Podujevës, u mblodhën për një qëllim.
Këtë të shtunë, ata bënë homazhe te komandanti Zahir Pajaziti, në nder të ditës së tij të lindjes.
Aty i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Me të marrë fjalën, ai tha se Pajaziti mbetet frymëzim për ushtrinë e Kosovës.
“Ishte veprimtar i jashtëzakonshëm, luftërar i paepur që u bë edhe sinonim i kushtrimit për liri bashkë me Haki Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. E mbaj mend mirë, janari e vitit 1997 kur Zahir Pajaziti pa i mbushur ende 35 vjet ra heroikisht në ballafaqim me forcat armike të okupatorit të Serbisë në Pestovë të Vushtrisë, pasi kishte kryer shumë aksione çlirimtare të cilat i paraprin luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi ai.
E Bajram Pajaziti, vëllau i Zahir Pajazitit, në këtë ditë rikujtoi një thënje të thënë nga vëllau i tij.
“Ai ka qenë fëmijë i familjes sonë. Ne kemi qenë tetë fëmijë. Ai ka qenë i pesti me radhë, por ka qenë më i veçantë se normal dëshmorët, heronjët e kanë një karakteristikë që i dallon pak nga njerzit e rëndomtë…Ai gjithmonë thonte: Pa gjak, pa mund dhe pa sakrificë, nuk fitohet liria”.
I pranishëm aty ishte edhe komandant Remi. I njëjti ndau një moment me të pranishmit se si Pajaziti kishte arritur t’i siguronte armët për ushtrinë.
“Zahiri po udhëheqte ushtrinë, të cilët ushtarët po i prisnin armët. Unë nuk kam dëgjuar e as lexuar ushtri tjetër, të gjitha i kom dëgju se armët i presin ushtarët. Kurse ne ishim ushtarë që prisnim armë. Zahiri gjeti zgjidhjen. Kishte krijuar njësi, celula të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjilan, Ferizaj, Dukagjin. Po du me përmend në veçanti në Sheshman të Gjavovës nga një grup studentëve….Përmes shtëpisë së plakut të Shushmanit po ndërtonte rrugën e ardhjes së armëve nga shteti shqiptar”, deklaroi ai.
Disa fjalë i pati edhe kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Në këtë ditë kur festojmë ditëlindjen e heroit, le të kujtojmë me krenari, por edhe me përgjegjësi të jemi të bashkuar, të punojmë për të mirën e përbashkët dhe mbajmë të gjallë idealin e Zahirit që Kosova të ec përpara me dinjitet, drejtësi e dashuri për vendin”
Në këtë ditë, u shënua në të njëjtën kohë edhe dita e shkollës fillore në Orllan, e cila mban emrin e Zahir Pajazitit.
E drejtori i shkollës, vëllaut dhe bashkëluftëtarit të Pajazitit, ua dhuroi nga një fletore me shënime të bëra nga heroi Pajaziti, në shenjë nderimi dhe kujtimit të tij.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Adea Mustafaj.






