Manchester United pritet të jetë një nga skuadrat më aktive gjatë afatit kalimtar veror. Në kampin e “Djajve të Kuq” ka pasur shumë largime, teksa kanë mbyllur bashkëpunimin me klubin: Paul Pogba, Nemanja Matic, Jesse Lingard dhe Juan Mata ndërkohë që pritet që lista të zgjerohet në ditët në vazhdim.
Trajneri i ri i skuadrës, Ten Hag, ka një detyrë të vështirë për rikthimin e 20 herë kampionëve të Anglisë në nivele konkurruese pas pesë vitesh nga trofeu i fundit. United dëshiron të adresojë problemet në disa reparte, ndërsa deri në këtë pikë ka hapur bisedimet me disa lojtarë si Frenkie De Jong, Darvin Nunez, Jurrien Timber, ndërkohë që i fundit që ka përfunduar në orbitën e “Djajve të Kuq” është mbrojtësi i krahut të djathtë, Denzel Dumfries.
Holandezi spikati me performancat tek Interi, teksa realizoi pesë gola dhe regjistroi shtatë asiste në sezonin debutues në Serinë A. Zikaltrit e afruan nga PSV për 15 milionë euro mbrojtësin në edicion e shkuar, ndërkohë që tashmë presin oferta me vlerë 40 milionë euro nga Manchester United dhe Bayerni, që është futur në garë së fundmi. Bavarezët nënshkruan me parametër zero me Noussair Mazraoui nga Ajaxi, por dëshirojnë të shtojnë alternativat në krahun e djathtë të mbrojtjes.