Më 15 janar, pala kosovare dhe serbe do të ulën në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Kësaj radhe, në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka dhwnw detaje pwr kwtw takim.
“Në këtë takim, Z. Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues Delegacionit të Republikës së Kosovës. Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”.
E për emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kjo javë e ka fokus këtë takim për personat e pagjetur.
“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit… Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë tek Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka deklaruar ai.
Por drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj thotë se nuk ka pritje prej këtij takimi.
Për Blakajn, takimi është i vonuar pasi po mbahet një vit e gjysmë pasi është formuar komisioni.
Komisioni i Përbashkët për të zhdukurit është formuar në maj të vitit 2023.