Kur u ndërtua në vitin 1978, llogaritej si një nga hotelet më të mira në rajon. Por, viti 2025, Hotel Grand Prishtinën po e gjen më pak vizitorë dhe në gjendje jo të mirë. Në objektin që dikur qëndruan figurat më të mëdha botore, tani kryesisht organizohen të pame për ngushëllime dhe hapësirat e tij shfrytëzohen nga biznese të ndryshme. Tëvë1 në vazhdim iu sjell një reportazh nga brendësia e Hotel Grand Prishtinës.
Është dhoma e 46-të e katit të katërt në Hotel Grand Prishtina.
Këtë residencë katër dekada më parë, e rezervoi njeriu më fuqishëm në Ish-Jugosllavi.
Bëhet fjalë për Josip Broz Titon, kur ky i fundit në vitin 1979 e vizitoi Kosovën.
“Grandi ka 7 suita dhe dy residenca, që në njërën prej tyre gjendemi tani dhe është ajo residenca që ju gazetarët e përmendi, ku ka qëndruar edhe ish-presidenti i Jugosllavisë. Ka qenë viti 1979, sepse Grandi ka filluar punën në 1978-ten”, ka thënë Albert Mirdita –drejtor në hotelin Grand.
E netët në Kosovë, Titoi zgjodhi t’i kalonte pikërisht në këtë dhomë.
Krejt kjo pasi Hotel Grand Prishtina, ishte në mesin e hoteleve më të mira në ish-Jugosllavi.
“Për atë kohë, ka qenë numër një, sepse Grandi ka qenë i kategorisë me pesë yje, ka qenë margaritar në ish-Jugosllavi”, ka deklaruar ai.
Por, ky hotel në qendër të Prishtinës, zë vend të veçantë edhe në historinë e fundit të Kosovës.
Në vitin 1990, në dyert e Grandit hyri delegacioni amerikan në krye me Bob Dole.
Këtë takim e mban mend mirë edhe drejtori i këtij hoteli, Albert Mirdita.
“Grandi është ikonë e Kosovës. Këtu është quajtur Tv Salla, takimi që u mbajt në krye me Ibrahim Rugovën dhe kongresistët amerikan në krye me Bob Dole, është mbajtur në këtë vend. në vitin 1981 në grand ka qenë kongresisti tashmë i ndjerë amerikan, Tom Lantos. 2:10 Figura të tjera historike, Medeline Albright, Toni Blair, Eliot Angle, gjenerali i ndjerë, Mike Jackson, etj, mos t’i përmendi të gjithe tash”.
Por, 26 vjet pas luftës, hoteli me 500 dhoma, tani ka ndryshuar.
Shkak për këtë u bë privatizimi në vitin 2006, ndërsa 6 vite më vonë iu morën edhe asetet.
Pavarësisht kësaj, një pjesë e hotelit është ende e disponueshme për vizitorët.
Por, sa kushton nata në hotelin ikonik të kryeqytetit?
“Kapaciteti ka ardhë tu i ra Grandit, apo interesimi ka rënë pas privatizimit, tendenca ka qenë për rinovim, por siç e dini ka dështuar, por janë çështje që nuk na takojnë neve… Ne kemi shkuar me disa çmime reale, për t’i marrë disa klientë, ne jemi hoteli i vetëm që mundemi me i akomoduar 100-150 mysafirë përnjëherë. Ne iu kemi përshtat çmimeve të tregut, 25 euro dhoma një-krevatshe pa mëngjes, sepse na u ka marrë dhe i është dhënë me qira shumë firmave afariste. Me dy kreveta, është 35-40 euro e kështu më radhë”, ka thënë ai.
Në vitin 2025, hapësirat e Hotel Grand, shfrytëzohen në mënyra të ndryshme.
Ndërsa njoftimi i fundit për të nga Agjencia Kosovare e Privatizimit është në vitin 2015.
Në të thuhet se AKP ka iniciuar procesin i likuidimit për Hotel Grand.