Këshilli i Arbitrazhit Sportiv ka reaguar me anë të një komunikate në lidhje me kundërshtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për vendimin e tyre karshi FC Prishtinës.
Ata në këtë kundërpërgjigje kanë kërkuar nga FFK që ta respektojë vendimin e tyre dhe së sulmet e tyre nga KAS i shohin si shumë të dëmshme për ta.
Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv të Kosovës:
Këshilli i Arbitrazhit Sportiv shpreh shqetësimin e thellë për sulmin që I është bërë anëtarëve të saj nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), përmes komunikatës së lëshuar më datë 30 Tetor 2024, në lidhje me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (GJAS) për vendimin e marrë sipas padisë së KF Prishtina kundër FFK-së. Sulmet e tilla ndaj KAS-it dhe anëtarëve të saj nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës përmes deklaratave paragjykuese, tendencioze dhe dashakeqe janë bërë tashmë një rutinë. Këto sulme kanë për qëllim të ndikojnë në punën dhe profesionalizmin e KAS-it, si një institucion kredibil dhe kompetent për të vendosur drejtësinë sportive.
KAS demanton fuqishëm deklarimin e Federatës së Futbollit të Kosovës , duke u shprehur se “Vendimi është nënshkruar vetëm nga znj. Jehona Shyti, sekretare e z. Eroll Salihu dhe nga anëtari i KAS-it, i emëruar nga FC Prishtina. Kjo përbën konflikt interesi, pasi z. Salihu, i cili është shpesh i përfshirë në akuza ndaj FFK-së dhe aktualisht është në procedura gjyqësore kundër saj, ka caktuar si kryesuese të panelit sekretaren e tij, znj. Shyti”. Për të sqaruar opinionin publik, në vendimin për padinë e KF Prishtina kundër FFK, në asnjë mënyrë nuk ka pas qasje e as ndërhyrje nga ane e Kryetarit të KAS-it, z. Eroll Salihu, I cili e ka përjashtuar veten jo vetëm nga vendimmarrja në lidhje me këtë rast, por edhe nga diskutimi në takimet e KAS-it kur është trajtuar padia në fjalë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për rastin në fjalë është emruar në përputhje me Rregulloren e KAS-it dhe duke e shmangur konfliktin e interesit, meqë Kryetari I GJAS-it për këtë rast është emruar me votat e anëtarëve të KAS-it. Për KAS është I papranueshëm sulmi personal, gjuha denigruese dhe linqimi I paskrupullt ndaj znj Jehona Shyti, të cilën FFK e ka quajtur sekretare te Eroll Salihut. Znj Jehona Shyti nuk është sekretare e Eroll Salihut apo ndonjë individi tjetër, por është Sekretare e Përgjithshme e KAS-it, e zgjedhur me shumicën absolute të votave të anëtarëve të KAS-it. Sekretari i KAS-it nuk është një pozitë administrative as teknike, por është njëri nga arbitrat/anëtarët e KAS-it që zgjedhet me votat e Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Olimpik të Kosovës. Cënimi i integritetit të Kryetarit, Sekretares, si dhe i çdo anëtari tjetër të KAS-it, përfaqëson një sulm ndaj sistemit të drejtësisë sportive dhe vlerave që ne përfaqësojmë.
KAS, deklarimet e tilla të pavërteta i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të punës se suksesshme këtij institucioni, duke vlerësuar se sulmet e tilla, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të KAS-it.
Nisur nga fakti se nuk është hera e pare që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga FFK, KAS i bën thirrje FFK-së dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e këtij institucioni në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta dhe tendencioze.
Këshilli i Arbitrazhit Sportiv bën apel për zbatimin e vendimeve të tij nga të gjitha palët e përfshira në procesin sportiv. Zbatimi i këtyre vendimeve është thelbësor për ruajtjen e integritetit të sistemit sportiv dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë.
Për më tepër, KAS siguron opinionin publik, se sulmet e tilla, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë në punën, profesionalizmin dhe funksionimin e tij. KAS si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet, do të veproj në pajtim me legjislacionin në fuqi për të mbrojtur interesin e sportit dhe të sportistëve.